“Vjeshta” me art në qeramikë si urë komunikimi

“Vjeshta” me art në qeramikë si urë komunikimi

12 tetor 2018 10:02

Prishtinë, 12 tetor – Ngjyrat e vjeshtës mbulojnë muret e galerisë. Gjethet, petalet e elementet e tjera që ndërrojnë pamje në stinën e tretë të vitit kanë arritur në kryeqytet si vepra artistike. Janë punuar në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shumë gra të këtij fshati që nga paslufta janë shndërruar në kryefamiljare.

Më 1999 forcat serbe aty kishin vrarë rreth 250 persona. Projekte të shumta janë realizuar që gratë e fshatit të jenë profesioniste në fusha të ndryshme. Rajoni, por edhe i gjithë fshati njihet për prodhimin e perimeve. Imazhet e këtyre produkteve nuk mungojnë as në veprat e artit të punuara në qeramikë.

Për herë të parë një punëtori e kësaj teknike është realizuar në fshat, në javën e parë të këtij muaji. Artistët Blerta Surroi e Veli Blakçori janë bërë bashkë që për disa ditë të trajnojnë gratë e të rejat e fshatit për të punuar me qeramikë. Projekti me temën “Vjeshta” ka bërë bashkë 13 vajza e gra. Ato kanë ushtruar që të punojnë vepra të cilat kanë dalë në publik të enjten mbrëma, kur është hapur ekspozita shitëse në galerinë “Monet”, në Prishtinë. Kuti, figura njerëzish, gjethe e vepra të tjera për një javë do të jenë në dispozicion të publikut.

Një kuti në formë katrore është punuar nga Zahrije Hoti. Mësimdhënësja e gjuhës shqipe ka punuar edhe një vazo. Ka treguar se rastësisht kishte dëgjuar për punëtorinë që po organizohej në fshatin e tyre.

“Jemi ndarë të kënaqura me organizatorët. Na kanë shpjeguar shumë mirë gjërat se si punohet me qeramikë. Sot kisha dëshirë ta shihja ekspozitën”, ka thënë ajo.

“Më ka hyrë në qejf kjo punë kur kam shkuar. Është punë që të relakson, dëgjonim muzikë e thelloheshim në punime, qetësohesh shumë”, ka thënë ajo pasi është hapur ekspozita.

Çmimet e veprave fillojnë nga 5 euro (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme