Luzha sheh dy skenarë rreth ish-Gërmisë dhe sallës koncertale

Hoxha ka dy propozime për lokacion për sallën e koncerteve

11 tetor 2018 20:39
21:10

“Qendra e Prishtinës nuk është vetëm bulevardi Nënë Tereza”, ka thënë kështu Eliza Hoxha në Rubikon të KTV-së duke përmendur rëndësinë që ka ndërtimi i sallës koncertale apo edhe ndonjë objekti tjetër në pika tjera të qytetit meqë do t’i mundësonin qytetit shtrirje më të madhe.

Sipas saj, lokacioni te Pallati i Rinisë mbetet ndër ato lokacionet ideale për ndërimin e kësaj salle, derisa shtoi edhe një tjetër lokacion në të cilat mund të ndërtohet salla për koncerte.

“Edhe te Rilindja, edhe te stadiumi. Bile është brenda unazes së parë, ku është parkingu ekzistues. E bën një punë tepër të jashtëzakonshme që komplet Arbërinë dhe lagjet tjera sipër atje i lidh përfundimisht me qytetin duke e kthy fytyrën edhe andej pasi Boro Ramizi dhe ish Rilindja gjithmonë kanë qenë një farë fundi i qytetit dhe andej ka qenë si zonë banimi”, ka shpjeguar Hoxha.

“Objekti si i tillë, qoftë arkitekt ndërkombëtar e qoftë edhe lokal, aty bëhet qendra kulturore, salla e koncerteve, muzeu i arteve, fillimisht janë si pika referente, veç që ki me shku m’i pa e le më brenda, për atë ka shumë rëndësi edhe jashtë edhe brenda”.

“Nëse lokacioni në kuptim hapësinor ka qasje prej të dy anëve, prej dy rrugëve kryesore, unazës edhe rrugës së Boro Ramizit. Pra, ti e ki në cep dukjen maskimale edhe një fasadë të re, një fytyrë të re për Prishtinën”.

20:43

Rugova shpjegon detajisht planin për adaptimin e objektit të Ish “Gërmia” për sallë koncertale

Image

Komuna e Prishtinës vazhdon të shtyjë përpara projektin për adaptimin e objektit të ish-Gërmisë për sallë koncertale.

Yll Rugova, drejtor i Kulturës në Prishtinë, ka thënë se duke bërë kështu, e shpëtojnë edhe objektin por edhe ndërtohet salla.

“Do të ndërtohet aty pa u rrënuar ndërtesa aktuale. Po e zëmë që ndërtesa aktuale për t’u rrënuar kushton 2 milionë euro, ishin kështu disa vlerësime që nuk kisha dashtë m’i marrë si të përfundimtare. Aty veç kemi administratë dhe mund të rifunksionalizohet shumë lirë. 2 milionë euro rrënimi, vetë ndërtesa i ka diku 5 milionë, po i bien që diku rreth 20 milionë euro. Në rrethana të tilla, nëse e bëjmë sallën koncertale duke e ruajtur objektin dhe memorien kolektive atëherë është shumë mirë dhe është shembull se si duhet veprojmë në të ardhmen në qytet, vendoset një lloj standardi edhe për objekte tjera”, ka thënë Rugova.

20:39

Luzha sheh dy skenarë rreth ish-Gërmisë dhe sallës koncertale

Image

Që nga paslufta komuniteti artistik i Kosovës pret për një sallë të denjë që do t’i plotësonte kushtet për ngjarje të mëdha kulturore.

Premtimi se Prishtina do të bëhet me një sallë për koncerte është i vjetër dhe projekti për funksionalizimin e një salle të tillë do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë eurosh nga fondet e Bashkimit Evropian.

E në këtë drejtim, ishte pikërisht objekti i ndërtuar në të njëjtën periudhë me hotelin “Grand”, e që dikur ishte qendra tregtare “Gërmia”, ai që planifikohej të adaptohej për një sallë koncertale.

Me hyrjen në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, rrënimi eventual i ish-objektit të “Gërmisë” në Prishtinë, automatikisht do të jetë shkelje ligjore, ani pse në krejt zhurmën e opinioneve ende nuk ka një vendim përfundimtar, nëse ish-objekti i ndërmarrjes shoqërore do të rrënohet për t’i lënë vend ndërtimit të një objekti të ri, apo do të përshtatet për sallë koncertale.

Në Rubikon të KTV-së, Besa Luzha, muzikante ka thënë se janë dy skenare për ndërtimin e sallës koncertale, objekti i ish-Gërmisë dhe një lokacion tjetër. Njëri është që objekti të rrënohet.

“Skenari tjetër i mundshëm është që vendimi për mbrojtjen e kësaj ndërtese bëhet përfundimtar dhe objekti duhet me u mbrojt, nuk mund të ketë ndërhyrje sepse mbrohet krejtësisht dhe atëherë situata është shumë e qartë, atëherë Komisoni apo Komuna duhet me zgjedh lokacionin, dhe ne të gjithë jemi të pajtimit dhe themi në rregull u ruajt kjo dhe e fituam një sallë koncertale”, ka thënë Luzha. “Ne si komunitet, kudo që vendoset, ne përsëri jemi fitimtar”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme