Kulturë

Kurti: Fatos Arapi ishte një ndër poetët kulmorë

Descriptive Text

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke ngushëlluar familjen Arapi dhe lexuesit e poetit, ka thënë se me hidhërim ka dëgjuar lajmin e vdekjes së shkrimtarit, Fatos Arapit.

Postimi i Kurtit në Facebook:

Me hidhërim dëgjova për lajmin e vdekjes së shkrimtarit, e veçanërisht poetit, Fatos Arapit. I lindur në 1929 në Zvërnecin e bregdetit vlonjat, ai u nda nga jeta sot, në moshën 89 vjeçare, si një ndër poetët kulmorë, për mendimin tim, të gjuhës shqipe. Formimi i tij prej matematicieni reflektohet në përkujdesjen për detajin estetik tek vargjet e tij, por edhe tek thellimi i mendimit dhe braktisja e figuracioneve të lehta e të euforisë.

Ngushëlloj familjen dhe lexuesit e tij për humbjen e madhe, që është humbje edhe për letërsinë e kulturën shqiptare.

Në vjershën “Tungjatjeta vetmia ime” ai shkruan:

... Unë eca brenda vetes sime. Atje, një shpresë e vogël, e hidhëruar, e fyer Rrëzoi sy e qepallë në dhe: As ti nuk ma dhe dorën te ngrihem Kaq shumë kisha shpresuar… Shpresa? Vetë shpresa shpresonte nga unë?! Tani nuk kam më fuqi As të trishtohem… ... Pegasëve te mi nuk u lind çdo ditë Nga një flatër nën sqetull… Por unë e di: Ka vetëm një varr për tiranët – liria!

Ndërsa te vjersha “Ti mos më lër vetëm” shkruan:

Unë jam parë sy – më – sy me jetën, Unë jam ngrënë dhëmb – më – dhëmb me vdekjen. Dhe jeta dhe vdekja ishin të egra Ti mos më lër vetëm. Tiranët më njohën, në firomë u prenë Më ndjenë që erdha, në zemër u zbehnë E di: me ta do përleshem prapë nesër Ti mos më lër vetëm Liria ime është si jam vetë I vdekur? – U ngrita: Sërish më thërrasin… Prej meje kërkojnë dhe jetën dhe vdekjen Ti mos më lër vetëm

Thirrja për t’ia dhënë dorën shpresës sonë të braktisur që qëndron brenda nesh, paracaktimi i lirisë si varr për tiranët, përcaktimi i lirisë që është si vetë vetja jonë, e thirrja për të mos e lënë vetëm njëri-tjetrin do të mund të ishin pjesë e një manifesti politik të kohës sonë, por ky nuk është momenti. I paharruar, Fatos Arapi!