Kulturë

“Sarabande” në festivalin kualifikues për “Oscar” pret kapitull të ri

Prishtinë, 11 tetor − “Sarabande”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, që dokumenton një moment të rëndësishëm në karrierën e kitaristit Petrit Çeku, do të konkurrojë në një festival që kualifikon për çmimet prestigjioze kinematografike, “Oscars”.

Dokumentari për muzikantin kosovar me nam botëror është bërë pjesë e “London International Documentary Festival”, në kategorinë e dokumentarit të shkurtër. Fituesit e kësaj kategorie nominohen për “Oscar”. “LIDF”, sipas ueb-faqes zyrtare është një prej festivaleve më të vjetra dhe më të mëdha të dokumentarit në Londër.

“Festivali ngre pikëpyetje, qëndrime kritike ndaj kulturës, çështjeve sociale e politike, duke u angazhuar me filmbërësit, subjektet e tyre dhe audiencën tonë, për të krijuar një ambient lartësisht të shquar për ndërveprimin kulturor”, shkruhet në ueb-faqen zyrtare të festivalit, që sivjet shënon edicionin e njëmbëdhjetë dhe tubon mbi 100 filma prej 45 shteteve të ndryshme.

Regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se pjesëmarrja në këtë festival hap dyer të reja për “Sarabande” (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).