Kulturë

Shpallja monument hedh poshtë opsionin për rrënimin e ish-“Gërmisë” në Prishtinë

Prishtinë, 11 tetor – Shpallja monument e ish-objektit të “Gërmisë” i ka dhënë fund çështjes nëse ai do të rrënohet për t’i lënë vend sallës koncertale apo të adaptohet. Tash, Komuna e Prishtinës ka në dispozicion vetëm opsionin e dytë.

Objekti modernist i viteve ‘70 në sheshin “Skënderbeu” që nga e mërkura është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Nënshkrimi i Listës nga ana e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ua ka zgjatur edhe për një vit mbrojtjen ligjore aseteve që renditen në këtë dokument.

Pos ish-objektit të “Gërmisë”, në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, të mërkurën, kanë hyrë edhe 27 asete të tjera të trashëgimisë kulturore. Prej tyre, 1 në kategorinë e trashëgimisë arkeologjike dhe 27 në atë të trashëgimisë arkitekturore, duke e rritur numrin e aseteve nga 1.567 në 1.595. As këtë vit asnjë aset nuk është larguar nga Lista. Është viti i shtatë që MKRS-ja harton Listë të përkohshme. Lista e përhershme, me 23 asete u shpall më 2017. Prej atëherë ka mbetur e pandryshuar (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).