Filarmonia sjell tri premiera botërore në Prishtinë

Filarmonia sjell tri premiera botërore në Prishtinë

06 October 2018 13:39

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, do mbajë nesër koncert në të cilin do të vijnë tri premiera botërore.

Koncerti do të zhvillohet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit në Prishtinë. Të kompozuar enkas për këtë festival, veprat “i nemun” nga Ylli Daklani, “...rrugës”, kompozuar nga Memli Kelmendi dhe “Mother” e Artan Hasanit do të interpretohen për herë të parë në Kishën Katolike “Shën Ndou”.

Për më tepër, koncerti sjellë për herë të parë para publikut kosovar veprën “Misa a Buenos Aires/ Misatango”, të Martin Palmerit, vepër kjo për solist, korë të përzier, fizarmonikë, piano dhe orkestrës harkore, transmeton kp.

Soprano e kësaj nate të koncertit do të jetë Arta Jashari, në fizarmonikë do të jetë Elton Balla dhe në piano Artemida Qarri-Haxhiaj.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, thënë se ky koncert është një ngjarje e veçantë në të cilën rolet solistike ngërthehen me ato të grupeve. Megjithatë, udhëheqësi i Filarmonisë Kosovare është ankuar për mungesë të sallave të përshtatshme koncertale.

“Meqë, siç e dimë, në Prishtinë ne nuk kemi salla adekuate koncertale, aq më tepër kur vokali, dmth, siç është kori, kërkon një akustikë të veçantë, andaj ne po detyrohemi qe vite me radhë koncertet korale-vokale t’i realizojmë në hapësira tjera të cilat sadopak mundësojnë përjetimin e një programi vokal siç është ky”, ka potencuar Jashari.

Dirigjenti Kushtrim Gashi është shprehur se ndihet i nderuar që do të jetë pjesë e këtij koncerti. Më tej ai ka folur rreth veprës së argjentinasit, Martin Palmeri, për të cilën ka thënë se është në stilin e muzikës tango, që është karakteristikë e muzikës argjentinase.

“Besoj që për korin ka qenë një vepër e mirëpritur sepse vepra ka një karakter ndryshe prej veprave klasike që jemi mësuar t’i dëgjojmë. Dhe, ky puls i karakterit të tangos ka sjellë menjëherë atmosferë ndryshe te kori. Gjithçka ka shkuar mirë dhe ne do ta japim maksimumin”, ka deklaruar Gashi.

Elton Balla nga Tirana, i cili do të luajë në fizarmonikë, ka shprehur bindjen se ky koncert do të sjellë emocione.

“Dua të them që kjo vepër është përveç se gjithëpërfshirëse është edhe solistike për secilin solist, për secilin instrumentist. Po themi që ne që në provën e parë përzier shumë mirë me emocionet që jep vepra dhe jemi bërë si njësh, që është detyra kryesore e muzikës. Pra jemi të gjithë bashkë si grup për të përcjellë emocionin e duhur të kësaj vepre shumë të rëndësishme”, tha Balla.

Ky koncert është i pari për sezonin e ri koncertal 2018/2019.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme