Kulturë

Turizmi kulturor në Shqipëri me 730 mijë vizitorë për 8 muaj

Shqipëria tashmë është bërë destinacion atraktiv i turizmit kulturor, e këtë e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare. Janë mbi 700 mijë vizitorë për tetë muajt e këtij viti, shifër që “përkthehet” në rritje prej 60 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Turizmi kulturor këtë vit ishte surprizues, nëse nisemi nga të dhënat që ne mbledhim nga sitet e trashëgimisë kulturore dhe muzetë kemi 60 për qind rritje të numrit të turistëve për periudhën 1 janar deri në 31 gusht, shifrat tregojnë se kemi 730 mijë vizitorë në sitet tona të trashëgimisë”, ka thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë një interviste televizive, kanë raportuar të mërkurën mediat shqiptare. Sipas saj, janë disa monumente e lokalitete arkeologjike që sivjet kanë shënuar rekorde.

“Rekorde të tjera ka shënuar dhe Kalaja e Gjirokastrës, që pati ditë gjatë muajit gusht, ku u vizitua nga 1.600 vizitorë, Butrinti prej disa vitesh arrin rekorde si 3 mijë deri në 4 mijë vizitorë në ditë, Kalaja e Beratit gjithashtu ka pasur 1100 vizitorë, ku nuk kanë munguar vizitorë dhe në Muzeun Marubi, në Muzeun Onufri e të tjera”, ka thënë ajo (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).