Kulturë

Surroi: Pushteti i sheh intelektualët si rrezik për sistemin e imponuar

Pushtetin që e udhëheq Kosovën tash e më shumë se një dekadë, publicisti e shkrimtari Veton Surroi e cilëson leninist. Qysh pas luftës së fundit, ai thotë se ekziston një përpjekje për dominimin e njerëzve që sot janë në pushtet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prandaj konsideron se shteti është i kapur në të gjitha segmentet. Si rezultat, dominojnë institucionet publike dhe vende pune gjejnë vetëm ata që janë pjesë e partive. E kjo, sipas tij, krijon diskrepancë në mes të drejtës së krijimit për njerëz të tjerë. Reagimi ndaj këtij pushteti, sipas Surroit, mund të rezultojë me humbje të vendit të punës, ose mosmarrje të pozitës së dëshirueshme.

Ani pse Kosova cilësohet si shtet demokratik, Surroi thotë se ka censurë. Në pushtete si këto “cak i parë janë intelektualët, sepse ata shihen si rrezikuesit e parë të narracionit të ri”.

“Pushtetet, posaçërisht ato totalitare, imponojnë një narracion të vetin, imponojnë një rrëfim të vetin, imponojnë një sistem të vetin të vlerave. Prandaj puna e parë që bëjnë pushtetet është që të vendosin flamuj të rinj, të vendosin emra të rinj rrugësh, të vendosin jo vetëm pushtetarë të rinj, por edhe idhuj të rinj. Kjo vlen jo vetëm për pushtete politike, por vlen edhe për pushtete religjioze e të tjera”, ka thënë ai. Kjo, sipas tij, është një situatë në të cilën dikush e ka një narracion të vetin, i cili jo domosdo futet brenda një rrjedhe e cila imponohet.

“Dhe kjo shndërrohet në rrezik. Narracionet, të cilat nuk janë pjesë e shumicës, shndërrohen në rrezik për atë shumicë, sepse mund të shndërrohen në shumicën e ardhshme dhe ky është rreziku të cilin e shohin pushtetet. Nuk duan që të ketë rrëfime alternative”, ka thënë ai.

Se nuk lejohen rrëfime të tilla është edhe rasti i dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, të cilën në fillim të këtij viti Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës s’e lejoi të inskenohej.

Më keq sesa censura, vepra e Surroit u përball në vitin 2014, kur libri i tij “Këmbët e Gjarprit” ishte djegur në Skenderaj dhe Ferizaj nga pjesëtarë të shoqatave të dala nga lufta, me pretekstin se “autori i këtij libri mohon luftën çlirimtare të UÇK-së, fyen dhe përgojon pjesëmarrësit e kësaj lufte”.

“Librat digjen, (por) idetë jo”, ka qenë tema e diskutimit të hapur me Surroin, të hënën, në lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në kuadër të aktivitetit “Dita e librit të ndaluar”, organizuar për herë të parë në Kosovë si ngjarje njëditore nga “ETEA”, në kuadër të projektit “Prishtina lexon”. Tema e diskutimit ka qenë njëherësh moto e organizimit që ka nisur qysh në mesditë dhe ka përfunduar në mbrëmje, dhe vjen si një version i “Javës së librit të ndaluar”, që është iniciuar vite më parë nga Asociacioni i Bibliotekave Amerikane, me qëllim të promovimit të mendimit jokonformist, sfidues dhe kritik... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)