Bllokohet projekti kontrovers për Murin e Berlinit

Bllokohet projekti kontrovers për Murin e Berlinit

24 shtator 2018 13:54

Autoritetet e Berlinit nuk e kanë aprovuar projektin ambicioz e kontrovers të titulluar “Dau”, që parashihte vendosjen e një kopjeje të Murit të Berlinit, nga data 12 tetor deri më 9 nëntor, raporton DW, transmeton “Koha Ditore” Vendosja e murit do ta bllokonte një zonë përreth bulevardit qendror të Berlinit, “Unter den Linden”, të mirënjohur nga turistët sidomos për shkak të objekteve të shumta historike.

Senatorja gjermane, Regine Günther dhe këshilltarja e qarkut Sabine Wissler, kanë shpjeguar që koncepti i sigurisë nga ana e organizatorëve të projektit nuk ishte i zhvilluar sa duhej, duke theksuar edhe se aplikacioni për projektin qe dorëzuar gjashtë javë para se ngjarja të zinte vend, e që një proces i tillë zakonisht kërkon një vit të tërë.

Për shkak të ngjarjeve tragjike si katastrofa “Loveparade” e Duisburgut dhe sulmet terroriste në Kishën Memoriale në sheshin e Berlinit, sipas politikanëve, siguria ka prioritetin më të lartë.

Fare pak detaje janë zbuluar për projektin e njohur si “Dau: Freedom in Berlin”, në të cilin ishin të përfshirë edhe artistja e performancave ekstreme Marina Abramovic dhe regjisori i “Babylon Berlin”, Tom Tykwer.

Mes disa detajeve që u shpalosën në muajin gusht nga organizatorët e ngjarjes, “Berliner Festpiele”, vizitorëve do t’u kërkohej të regjistroheshin për një “vizë” për të fituar qasje në lokalitetin e rremë të Murit të Berlinit dhe se instalacioni do t’u mundësonte atyre ta përjetonin humbjen e lirisë në një sistem totalitar. Përderisa politikanë dhe artistë të ndryshëm e kanë përkrahur projektin, të tjerë zëra të shquar në Gjermani, përfshirë edhe aktivistë të të drejtave civile nga ish-Republika Demokratike Gjermane, komunitete religjioze dhe historianë kishin nënshkruar një letër të hapur kundër tij.

Aspekti më intrigues i projektit ishte që do të shfaqte një eksperiment të tashmë filmbërësit legjendar rus, Ilya Khrzhanovsky. Para një dekade, regjisori kishte rikrijuar një shoqëri të mbyllur staliniste në Kharkov, një qytet me 1.4 milionë popullsi në lindje të Ukrainës. Pjesëmarrësit kishin ndërprerë jetën e tyre për t’i kaluar dy vjet jetesë në një qytet të rremë prej 12 mijë metra katrorësh.

Ata visheshin dhe silleshin sipas rregullave strikte të komunitetit, në të cilin qe krijuar një regjim totalitar i periudhës sovjetike. Rreth 700 orë incizimesh ishin përmbledhur nga ky eksperiment: 13 filma artistikë sikurse edhe disa seriale ishin realizuar prej këtij materiali. Ngjarja e Berlinit do të mundë të sillte një prej mundësive të para për audiencën e gjerë që t’i shihte këto materiale. Në një artikull të gjatë të realizuar për revistën “GQ”, më 2011, gazetari Michael Idov, kishte shkruar për projektin, duke potencuar thashetheme që do të ishte “projekti më i gjerë, komplikuar dhe më konsumues që ishte përpjekur të bëhej ndonjëherë”. Gazeta “The Telegraph” e kishte përshkruar projektin e tij si “filmin më të çmendur të xhiruar në të gjitha kohërat”.

Khrzhanovsky e kishte bazuar projektin origjinal “Dau” në storien e fizikanit fitues të çmimit “Nobel”, Lec Landau, jeta e të cilit ishte e mbushur me histori për eksperimente seksuale, periudha të hospitalizimit në psikiatri dhe përvoja dramatike në përplasje aksidentesh. Për ta shtuar misterin e projektit, Khrzhanovsky asnjëherë nuk ishte parë personalisht për promovimin e konceptit të tij në Berlin. Sipas gazetës “Tagesspiegel”, një prej përkrahësve më të mëdhenj të “Dau” ishte biznesmeni dhe filantropi Sergey Adoniev, që raportohej të kishte afërsi me qarqet e Putinit, e që po ashtu shtonte polemikën e rindërtimit të Murit të Berlinit në kryeqytetin gjerman. Shpenzimet e projektit qenë vlerësuar ta kapnin shifrën prej 7.7 milionë dollarësh. “Dau: Freedom in Berlin”, planifikohej që ngjarjet e ngjashme t’i zhvendoste edhe në Paris e Londër.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme