Kulturë

Piktoret binjake nga Irani që po lënë nam në SHBA

Motrat binjake Safarani, të lindura në Iran, kanë pikturuar që kur ishin 13 vjeç. Ato u dashuruan me artin në Iran, por pas diplomimit në degën e pikturës të Universitetit të Teheranit, vendosën ta vazhdojnë arsimimin e tyre jashtë shtetit dhe u transferuan në Boston.

“Ne donim të lëviznim, të eksploronim dhe të ndryshonim mënyrën tonë të të jetuarit. ...Dhe shkoi mirë. Këtu kemi shumë mundësi që nuk i kishim në Teheran, që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi si artiste. Mund të krijonim çfarë të donim në Iran, por për t’i shfaqur disa nga ato piktura ... kishte rregulla dhe kufizime”, thotë Bahareh.

Pasi përfunduan studimet pasuniversitare për artet e bukura në Universitetin Northeastern, dy motrat filluan të organizonin ekspozitat e tyre të para të veçanta. Jeta në Shtetet e Bashkuara u mësoi atyre se të qenit i suksesshëm nuk do të thotë vetëm të kesh talent. Për të patur sukses, është e nevojshme të takohesh me tregtarët e artit, të udhëtosh në të gjithë vendin dhe të japësh intervista. Sot, pikturat e motrave, që shprehin përqafimin e bukurisë me dhimbjen, janë bërë të njohura.

“Nëse gjithçka në botë do të ishte e përsosur, gjithçka të ishte e bukur, të gjithë të ishin të lumtur, kjo do të ishte koha kur nuk do të krijohej asgjë”, shpjegon Farzaneh.

Pikturat e tyre shiten mirë, pavarësisht çmimit të lartë – secila prej tyre kushton midis 12 dhe 30 mijë dollarëve. Disa krijime paraqiten si instalime video – një mënyre e re arti që Bahareh dhe Farzaneh e zbuluan në Amerikë.

“Sfida më e madhe për të gjithë ata që emigrojnë është që të përshtaten në vendin e tyre të ri. Në Iran, ne kemi mësuar artin tradicional; kur erdhëm këtu, eksploruam artin me video, artin e performancës. Kjo na çoi në një nivel krejt të ri”, thotë Farzaneh.

Motrat janë shumë të zëna me punimet e tyre. Çdo ditë ato planifikojnë ekspozita dhe takime të reja. Ekspozita e tyre e ardhshme do të jetë tani në vjeshtë, në Nju Jork. Dhe ato thonë se ky është vetëm fillimi.