Kulturë

Restaurimi në “Eminxhik” mbetet pezull deri vitin që vjen

Descriptive Text

Prishtinë, 21 shtator – Restaurimi e konservimi i njërit prej dy objekteve të Muzeut Etnologjik nuk mund të përfundojë këtë vit. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte ndërprerë puna, më nuk është prekur ajo që njihet si Shtëpia e familjes e shekullit XIX. Tash e gati një vit, shkaku i ndërhyrjeve në objekt, janë anuluar vizitat kolektive të nxënësve në këtë monument.

Në tetor të 2017-s kishte nisur ndërhyrja. E rreth 5 mijë vizitorë të tetë muajve të fundit kanë parë vetëm gjysmën e Muzeut Etnologjik, që zë vend në dy shtëpi qytetare. Mund të vizitojnë vetëm atë që njihet si Shtëpia e mysafirëve apo e zjarrit e shekullit XVIII. Krejt çfarë planifikohet deri në fund të vitit është një ndërhyrje emergjente e radhës, dhe menaxhmenti i Muzeut të Kosovës, nën varësi të të cilit është Muzeu Etnologjik, synon ta bëjë këtë sa më parë që të jetë e mundur. Një gjë e tillë do të bëhej sa për të larguar rrezikun që paraqesin reshjet atmosferike. Ndërtesa e kompleksit “Eminxhiku” vazhdon të jetë e rrethuar si një vendpunishte e braktisur.

Sipas menaxhmentit të Muzeut të Kosovës deri tash ka qenë e pamundur që të zhvillohet procesi i restaurimit e konservimit. Problem ishte bllokimi i financimit të institucioneve vartëse nga Ministria e Kulturës. Qysh prej fundit të qershorit, MKRS-ja nuk mund të derdhë mjete në llogaritë bankare të institucioneve si rezultat i gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).