Shuhet shkrimtari shkodran Isa Alibali

Shuhet shkrimtari shkodran Isa Alibali

20 shtator 2018 10:12

Isa Alibali një figurë e njohur e kulturës është shuar në moshën 78-vjeçare. Ai është i njohur për kontributin si shkrimtar e dramaturg. Lindi në Shkodër më 26 janar 1940. I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.

Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Ai është autor i shumë veprave. 2002, “Mirënjohje” që lidhet me figurat më të shquara të artit të kultivuar të Shkodrës e më gjerë, si aktorët, regjisorët, shkrimtarët, kompozitorët, këngëtarët, piktorët tanë të shquar, etj.

Ai është autor i disa librave si: “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, ku shpaloset jeta dhe veprimtaria artistike – humoristike e kolosit të humorit shqiptar Tano Banushi, si dhe për shumë aktorë të njohur të humorit në Shkodër, që kanë rrezatuar vlera në të gjithë Shqipërinë. Një tjetër botim i Alibalit është libri me kujtime “Si e njoha Mirditën” ku paraqiten mbresat nga puna në Mirditë në fushën e arsimit në rininë e autorit, edhe si drejtor i parë i Gjimnazit të parë të Rrëshenit, në vitin 1960.

“Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën) është një tjetër libër që lidhet me marrëdhëniet e ngushta midis Shkodrës dhe Kosovës, në histori, arsim, kulturë dhe arte dhe ndikimet e tyre të ndërsjellta. Ky është libri i parë i këtij lloji, që shpreh ndjenjat e dashurisë midis këtyre trevave shqiptare, traditat e përbashkëta dhe kontributet reciproke ndaj njëri-tjetrit. Libri përmban kujtime, tradita veprimtari, portrete, mbresa, udhëtime turistike, reportazhe e ngjarje të përjetuara larg e afër Kosovës.

Ky libër, në kuadrin e viti jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, i kushtohet shqiptarëve të Kosovës, të cilët, përveçse kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të trimërisë, qëndresës e të unitetit, kanë bërë edhe një jetë të pasur shpirtërore , duke ruajtur traditat, gjuhën, dinjitetin dhe duke mbajtur gjallë, si gjënë më të shenjtë, ndjenjat e çmuara kombëtare të atdhedashurisë.

Disa vite më parë ai botoi romanin “Përtej Mjegullës ka Dritë” i cili pasqyron fatin e vështirë të njerëzve gjatë diktaturës si pasojë e ushtrimit mbi ato të Luftës famëkeqe të Klasave, rrugën e mundimeve të shumta të tyre, dhe ndikimin e egër në jetën shpirtërore të personazheve.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme