Aktorja nga Kosova në misionin afrikan të artit

Aktorja nga Kosova në misionin afrikan të artit

17 shtator 2018 14:00

Tetë artistë nga India, Gjermania, Britania, Uganda dhe Kosova janë duke udhëtuar prej Cape Town të Afrikës Jugore, drejt Kajros së Egjiptit, në misionin për të mësuar, ligjëruar dhe përjetuar kultura të reja nëpërmjet grafiteve, muzikës, stripeve, teatrit dhe punëtorive.

Yllka Lota, aktore nga Kosova, do t’i bartë njohuritë e veta duke dhënë mësime aktrimi për fëmijë,shkruan theeastafrican, transmeton “Koha Ditore”.

Pjesëmarrës në këtë mision janë: artisti i teatrit, Akram Feroze nga India, artisti Shikhant Sablia nga India, fotografja gjermane, Helene Hasler, muzikantja argjentinase, Gala Soler, Ide Piankhi, poete nga Britania e Madhe, muzikanti nga Uganda, Semwogere re Gilbert dhe filmbërësi indian Sai Kumar.

Nën aktivitetin e titulluar “Great African Caravan” (Karvani i Madh Afrikan), grupi ka nisur udhëtimet prej Cape Townit në ditën e fundit të gushtit. Udhëtimi i gjatë prej 15 mijë kilometrash do të zgjasë mbi 190 ditë për të kompletuar misionin që shtrihet në 11 shtete – Afrikë Jugore, Zimbabve, Zambia, Malavi, Tanzani, Ruandë, Ugandë, Keni, Etiopi dhe Sudan, për të përfunduar në Egjipt, në mars të vitit që vjen. Grupi është duke udhëtuar në një karvan me tri automjete dhe është duke u shoqëruar nga një ekip prej katër xhiruesish. Në shtetet të cilat vizitohen, karvani do të bashkëpunojë me mbi 100 artistë vendas, të cilët punojnë në kuadër të Iniciativës për Paqe të artistëve afrikanë.

Karvani i Madh Afrikan është pjesë e Karvanit të Artit, (Art Caravan), një organizatë indio-zvicerane e artistëve globalë, të cilët shfrytëzojnë talentin dhe shkathtësitë për ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet asaj që ata e quajnë Karvanët Ndërkontinentalë të Artit, një rrjet global i shkëmbimit të artistëve dhe samit ndërkombëtar i artit.

Ideja është të ndërtohet një rrjet global artistësh dhe të mbahen ngjarje artistike për shkëmbime ndërkulturore që nxisin qytetarinë globale.

Karvani është konceptuar si një projekt bazë që do të përfshijë komunitete të ndryshme nëpërmjet platformave si forum teatri, që është një formë e të bërit teatër e themeluar nga artisti brazilian Augusto Boal.

Ky lloj teatri përdoret për të krijuar një hapësirë të sigurt (skenë aktrimi) për të diskutuar çështje relevante me audiencën dhe për të hulumtuar zgjidhje për to. Temat mund të rangohen duke nisur nga ajo sesi të luftohen stigmat shoqërore e sesi të trajtohet varfëria derisa tek përballja me efektet e ndryshimeve klimatike. Projektet tjera të karvanit janë: “Lost Boy”, “Behind the Mask”, “Lights, Camera…Peace”, “Between Panles”, “Beyond the Qall”, “Poetry, Music Without Borders”, dhe punëtori të tjera, në të cilat përdoren mediat e ndryshme për të adresuar problemet e komunitetit.

Sipas organizatorëve, në fund të udhëtimit, artistët do të pikturojnë 11 murale në bashkëpunim me komunitetet lokale, do t’i mbajnë 11 sesione me poezi, do të performojnë 11 shfaqje teatri, do të realizojnë 11 shfaqje muzikore dhe do t’i mbajnë 11 punëtori. I bie që do të trajnohen 36 artistë, do të bashkëpunohet me 72 poetë, do të argëtohen mbi 6 mijë njerëz, do të performohet me 20 grupe muzikore dhe në të gjithë projektin do të përfshihen 1 mijë e 200 liderë të rinj. Organizatorët, po ashtu, presin që të bëjnë mbi 10 vepra arti, të dialogojnë mbi qytetarinë globale dhe të trajnojnë 5 mijë të rinj nëpërmjet punëtorive të ndryshme që janë planifikuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme