Kulturë

Fytyra e Myrtisit në Tiranë me historinë e 25 shekujve

Fytyra e rindërtuar e Myrtisit, vajzës që u lind rreth 2500 vjet më parë në Athinë, e që humbi jetën nga ethet e tifos, është ndalur në Tiranë, tek zbërthen një mesazh të rëndësishëm: kujdesin ndaj brezave të ardhshëm.

Prej së premtes ka zënë vend në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministrinë e Shqipërisë, me ekspozitën “Myrtis: Ballë për ballë me të shkuarën” që vjen nga muzetë e mëdha të Greqisë.

“Myrtis mbart në vetvete shumë mesazhe, të cilat janë shumë të vjetra, por edhe shumë bashkëkohore në të njëjtën kohë. Në historinë e saj, Myrtis na kujton historinë e paqes dhe nevojën për trajtimin e sëmundjeve, sidomos atyre që prekin fëmijët”, citohet të ketë thënë Eleni Sourani, ambasadore e Greqisë në Tiranë.

Një shumëllojshmëri objektesh arkeologjike e teknologjike, piktura, skulptura, fotografi, vizatime dhe instalacione tregojnë historinë e kësaj vajze të veçantë, që u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë është “ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët, shkruan sot Koha Ditore.

“Lufta kundër çdo lloj sëmundjeje duhet të kalohet. Asnjë njeri nuk duhet të vdesë sot nga sëmundjet që janë të kurueshme”, ka thënë Nora Kushti, zëdhënëse e OKB-së në Shqipëri.

Rikthimi i Myrtis është konsideruar si një kontribut i madh për shpëtimin e fëmijëve 2500 vjet pas lindjes së saj dhe që ajo nuk i njohu kurrë.

“Për rindërtimin e fytyrës së Myrtis u nevojitën 30 vjet punë. Ishim një grup shumë i madh pune, pothuajse 30 shkencëtarë nga fusha të ndryshme”, ka thënë Manolis Papagrigorakis ideator dhe kurator i ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 6 tetor.