Kulturë

Gratë e protestës

Prapa derës së padukshme që shpinte në bodrum merreshin vendimet që do të përçonin anembanë botës mesazhin paqësor të grave të Kosovës kundër krimeve serbe në Drenicë. Ishte pranvera e hershme e vitit 1998.

Hyrje-daljet tinëz në shtëpinë ku ishte vendosur Qendra për Mbrojtjen e Nënave dhe Fëmijëve në Prishtinë do të shpeshtoheshin në mars, shkruan sot Koha Ditore. Në shkurt Serbia nisi vrasjen e nënave dhe të fëmijëve në fshatrat e Drenicës.

Atje do të priteshin edhe me grykën e pushkës. Luftimet ndërmjet forcave serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po sfidonin edhe politikën e rezistencës paqësore të LDK-së së Ibrahim Rugovës.

Dhe jo fort larg rezidencës së Rugovës në “Velani”, prej ku palëve ndërluftuese, kundërthënshëm, u bënte thirrje për heshtjen e armëve, gratë aktiviste po i organizonin protestat paqësore.

“Kur hyje në katin e parë nuk shihej dera e mbuluar. Ishte me material, siç i thoshim, me ‘ivericë’, që të çonte në bodrum, ku mblidheshim përfaqësueset e organizatave të grave”, ngrihet në këmbë aktivistja Igballe Rogova në zyrë teksa përshkruan improvizueshëm vendndodhjen e derës së padukshme të organizatës joqeveritare, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, të themeluar nga e ndjera Sevdije Ahmeti dhe Vjosa Dobruna.

Rogova, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Rrjeti i Grave të Kosovës, kujton debatet e gjata me argumente e kundërargumente para se të vendosej në fund unanimisht për vendin, kërkesat dhe motot e protestave të grave. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)