“Nëntor i ftohtë” në Zvicër garon mes filmave të dëshmuar

“Nëntor i ftohtë” në Zvicër garon mes filmave të dëshmuar

14 shtator 2018 09:39

Prishtinë, 14 shtator − Filmi për Kosovën e fillimviteve ’90, realizuar nën regji të Ismet Sijarinës, do të shfaqet në festivalin zviceran në mesin e filmave të dëshmuar nëpër botë.

“Nëntor i ftohtë”, bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është pjesë e konkurrencës për çmimin kryesor të “Zürich Film Festival”, dhe do të shfaqet atje për ta vazhduar suksesin e prezantimit të filmit kosovar në ekranet e festivaleve me nam.

Rrëfimi për një arkivist në një ndërmarrje shtetërore në Kosovën e fillimviteve ’90, i cili obligohet të bëjë zgjedhje mes dy opsioneve të gabuara, për të parën herë do të shfaqet para audiencës spanjolle në festivalin e San Sebastianit, që mbahet prej 26 deri më 30 shtator. E prej 1 deri më 7 tetor, një ekip i filmit do të jetë prezent në festivalin që mbahet në Zürich, e që do të hapet me premierën botërore të “Richard Says Goodbye”, me protagonist Johnny Deep. Premierë e gala do të jepet filmi “First Man”, nën regji të Damien Chazelle me Ryan Gosling në rol kryesor, i cili në fund të muajit të kaluar hapi Festivalin e Filmit në Venecia.

E kategoria në të cilën është futur në konkurrencë filmi nga Kosova, “International Feautre Film Competition” është e fortë. Përmbledh 14 filma, në mesin e të cilëve edhe asi që janë dëshmuar deri tash në festivale të mëdha botërore.

“Nëntor i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” e “Ikone”. Është mbështetur edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në rolet kryesore në këtë film luajnë Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, dhe Lum Veseli. Drejtor fotografie është Sevdije Kastrati, montazher Vladimir Pavlovski. Muzika e filmit është realizuar nga rock- grupi kosovar “Jericho” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme