Kulturë

Korrektësia politike është armiku i lirisë

Laureati i Nobelit, përveçse shkruan fiksion, lufton palodhshëm për liritë civile.

Në librin e ri, “Thirrja e fisit”, Mario Vargas Llosa promovon mendimin liberal dhe nderon shtatë autorë që mbrojnë liritë civile. Kemi folur me të për liberalizmin, verbërinë intelektuale dhe rreziqet me të cilat sot po përballet demokracia, shkruan Maite Rico në “El Pais”, shkrim të cilin përcjell sot në shqip Koha Ditore.

Llosa është në formë të mirë. Laureati peruan i “Nobelit” qeshet lehtas derisa shtjellon teoritë e tij për lirinë dhe individin, dhe flet për librin e ri, “La lamada de la tribu” (“Thirrja e fisit”), ku argumenton në favor të mendimit liberal, duke iu referuar shtatë autorëve të njohur me ndikim: Adam Smith, José Ortega y Gasset, Friedrich von Hayek, Karl Popper, Raymond Aron, Isaiah Berlin dhe Jean-François Revel. Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

El Pais: Pse po sulmohet kaq shumë mendimi liberal?

Llosa: Është shënjestruar prej ideologjive që janë armiq të lirisë dhe që justifikueshëm e konsiderojnë liberalizmin si armikun më këmbëngulës. Dhe këtë kam dashur ta shtjelloja në libër. Fashizmi dhe komunizmi kanë sulmuar fuqishëm liberalizmin, duke e lidhur dhe krahasuar keq, kryesisht, me konservatorizmin. Në fillesat e veta, liberalizmi ishte rrethuar kryesisht prej të së djathtës. Ishte sulmuar prej gjuhës papale – kishte sulme të klerit kishtar gjithkund kundër një doktrine që konsiderohej armike e religjionit dhe e vlerave morale. Mendoj se këto hasmëri përcaktojnë lidhjen e ngushtë që ekziston ndërmjet liberalizmit dhe demokracisë. Demokracia ka çarë përpara dhe të drejtat e njeriut janë njohur kryesisht falë mendimtarëve liberalë.