Kulturë

“Këtu – apo atje, është më atje”, Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Nesër më 7 shtator në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, hapet ekspozita e parë personale në Shqipëri e artistet Flaka Haliti.

Ekspozita hapet me fillim nga ora 19:00 ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor.

“Këtu – apo atje, është më atje”: ky titull i pavendosur i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Siç transmeton KultPlus, destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes. E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufijtë fizikë dhe mendorë.

Punët e saj shumështresore vënë në lojë dhe sfidojnë marrëdhëniet e pushtetit si dhe nomenklaturën që sundon mbi sistemin e artit dhe më gjerë. Ato jo vetëm që refuzojnë klasifikimet tradicionale sipas mediumit, siç është skulptura, piktura, vizatimi apo fotografia, por ato sfidojnë edhe përfundimet e nxituara estetike që janë pasojë e mendimeve cliché mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi. Duke zhvendosur format e zakonshme, apo duke animuar regjistrime që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit, Haliti u jep imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese një zë alternativ. Kjo qasje e saj prodhon kompozime të reja apo ende të padefinuara që shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë.

Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear me qëndrimin e vet përtac-cool-kritik. Banerë të ngjyrosur me sprej, të pezulluar nga ekzistenca e tyre e përditshme fantazmagorike, i drejtojnë vizitorët nëpër hapësirat gjarpëruese. Elementë arkitekturalë, që duken si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë, rrinë të shtrira në një gjendje letargjie, tashmë pa as edhe një funksion. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetëkrijuara, një personazh enigmatik me emrin “Joe”, na del para krejt papritur, në forma të ndryshme antropomorfike në sfungjer-mermeri,ndërsa një trup tjetër abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës. Duke refuzuar status quo-në e objektit, Haliti përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen potenciale të tij, duke e hapur fushën e mundësive dhe perspektivave që tejkalojnë nocionet e thjeshta të përkatësisë. E gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku.

“Këtu – apo atje, është më atje” është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.

Biografi e shkurtër Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas diplomimit në Grafikë pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë në vitin 2006, ajo vazhdoi studimet për Artet e Bukura në Städelschule në Frankfurt mbi Main nga viti 2008 deri në vitin 2013. Aktualisht ajo është duke bërë doktoraturë në praktikë pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Vjenë. Punët e saj janë ekspozuar në shumë raste, përfshirë edhe ekspozita personale në pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 56-të të Venecias (2015), në mumok, Vjenë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, Prishtinë (2014). Në vitin 2016 ka qenë artist rezident në Villa Romana në Firence, dhe në po të njëjtin vit është nderuar me çmimin Ars Viva. Në vitin 2018, ajo është pjesëmarrëse në Artin Publik të Mynihut dhe Bienalen e Busanit.