Kulturë

“Jeta përmes kujtimeve” në Tiranë, plotëson rrëfimin për Shën Terezën

“Jeta përmes kujtimeve”, ekspozita e cila sjell imazhe, gjësende personale e faksimile dokumentesh që plotësojnë rrëfimin për Nënë Terezën, është hapur të mërkurën në Muzeun Historik Kombëtar. Ky ka qenë njëri prej aktiviteteve me rastin e dyvjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Terezës. Vëmendje të madhe ka marrë pasaporta e Nënë Terezës, që shenjtores iu dha në vitin 1927, pasi i bëri një kërkesë autoriteteve në Shkup për të vizituar familjen e saj në Tiranë, përpara se të nisej për në mision. Një version i kësaj ekspozite, me të cilën qe shënuar 108-vjetori i nobelistes shqiptare, një javë më parë qe hapur edhe në Prishtinë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, por në Tiranë ajo është plotësuar edhe me gjësende personale të saj si për shembull kryqi që ka mbajtur ajo, e që ka qenë dhuratë nga Papa Gjon Pali II. Edhe në kryeqytetin shqiptar u promovua libri “Familjet katolike shqiptare në Shkup” (dokumente, fotografi dhe dëshmi – I) i autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko. Bashkorganizator i kësaj ngjarjeje është Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup.

“Ky është hapi i parë që një institucion në Maqedoni, shtetëror dhe shkencor po merret me hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Shën Terezës”, ka thënë drejtori i këtij Instituti, Skënder Asani. Ai ka folur veçmas për pasaportën.

“Kemi gjetur në arkiv pasaportën e Nënë Terezës dhe kjo pasaportë i është dhënë në vitin 1927. Ne po e nxjerrim për herë të parë në dritë”, ka thënë ai.

Por pasaporta nuk është dokumenti i vetëm që prezantohet në ekspozitë. Kur Gonxhe Bojaxhiu mori vesh se nëna e saj kishte ndërruar jetë, i shkroi një letër në mënyrë të fshehtë familjarëve, ku i porosiste “të mos mërziten pasi shpirti i saj ka shkuar në parajsë”. Letra, siç raportojnë mediat shqiptare, prezantohet gjithashtu për herë të parë për publikun. Ekspozita pasurohet me mesallën, peshqirin dhe servisin që Nënë Tereza përdori në vizitën e saj në Shkodër, në vitin 1991.

Stefan Tetollari, specialist i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar, ka thënë se disa objekte janë të familjes që vizitoi. “Familja e Tonin Shpatit, edhe aty kemi shumë objekte që i ka dhuruar ajo familje me të cilat u ushqye Nënë Tereza në atë darkë. Bëhet fjalë për 15 objekte, të cilat kjo familje ia ka dhuruar Muzeut në vitin 1997”, ka thënë ai.

© KOHA Ditore