Kulturë

SHATK përkrah grevën e aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së në kërkim të rritjes së pagës

Descriptive Text

Mostrajtimi i dinjitetshëm ndaj aktorëve dhe punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) si nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës ashtu dhe nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas shumë kërkesave të bëra rreth rritjes së pagës bazë, jep për të kuptuar se arti dhe krijuesit e tij nuk vlerësohen por nënçmohen pasi që kërkesat e tyre nuk trajtohen me seriozitet.

Kështu thotë Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK), i cili thotë t’i ketë ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet rreth rritjes së premtuar të pagës bazë të aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së që është kërkuar që nga qershori i vitit 2016 dhe në vazhdimësi.

“Mospërfillja e kërkesave të shumta të drejtuara ndaj MKRS-së dhe Qeverisë, shkelja e vet premtimeve të dhëna nga ana e vet Ministrisë së e Kulturës, trajtimi nënvlerësues ndaj performuesve kulturor duhet të marrë fund. SHATK, shpreh indinjim të thellë për mosrealizimin e premtimeve dhe për mostrajtimin serioz të kësaj çështje dhe kërkon këndellje dhe reagim të menjëhershëm nga ana e zyrtarëve kompetent të MKRS-së dhe Qeverisë së Republikës Kosovës”, thotë SHATK në reagimin dërguar mediave.

SHATK thotë se përkrah grevën e nisur nga aktorët dhe punëtorë e TKK-së, deri në plotësim të kushteve të kërkuara – rritjen e pagës bazë për performuesit e kulturës dhe me këtë rast fton edhe publikun të tregojë mirëkuptim ndaj kërkesave të shprehura dhe solidarizim me to.

“Bordi Ekzekutiv i SHATK-së i bën thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të realizojë premtimin e dhënë, e njëherësh SHATK shpreh përkrahje të plotë për performuesit e kulturës deri në plotësimin e kërkesës legjitime, për trajtim të dinjitetshëm”, përfundon reagimi i SHATK-së.