Kulturë

Teatri në grevë, në vend të premierës së “Kopshtit të vishnjave”

Paralajmërimet e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës që nga e mërkura do të hyjnë në grevë i kanë shfaqur pasojat e para. Teatri ka anuluar konferencën për media të paraparë për të martën, ku do të flitej për premierën e shfaqjes “Kopshti i vishnjave” e cila do të jepej sot (e mërkurë), shkruan sot “Koha Ditore”.

Nëpërmjet këtij veprimi praktikisht është anuluar edhe premiera e shfaqjes me tekst të Anton Çehovit, nën regji të Ilir Bokshit. Por menaxhmenti i TKK-së nuk ka një përgjigje përfundimtare. Sipas tyre gjithçka varet nga konferenca e shoqatave sindikale të institucioneve të Kulturës që do të mbahet sot (e mërkurë) në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ekipi i “Kopshtit...” të martën mbrëma ka mbajtur provën gjenerale. Gjashtë nga njëmbëdhjetë aktorët e shfaqjes janë pjesëtarë të ansamblit rezident të TKK-së.

Sipas sindikalistëve, anulimi dhe greva janë punë të kryera.

Në bazë të një marrëveshjeje verbale aktorët dhe të gjithë punonjësit profesionalë të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore nga dita e parë e shkurtit do të merrnin pagën me rritje.

Grevës do t’i bashkohen edhe punonjësit e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve popullore “Shota” dhe ata të Filarmonisë së Kosovës. Baleti Kombëtar i Kosovës, sipas drejtorit Ahmet Brahimaj, i përkrah veprimet sindikale por nuk mund të hyjë në grevë për shkak të kontratave ndërkombëtare.

Për rritjen e pagave duhen 600 mijë euro, përderisa një rregullore e re do ta zëvendësonte atë të viti 2011. Mjetet për rritje të pagave do të merren nga projektet kapitale. Por nëse do të merren mjetet vetëm nga projektet kapitale të fushës së kulturës, dhe ashtu siç ka thënë MKRS-ja se duhen 600 mijë euro, i bie që të hiqet dorë gati nga gjysma e projekteve kapitale të kësaj kategorie... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)