Kulturë

Rrugëtimi i dyshes kosovare në “Operalia” përfundoi në gjysmëfinale

Gjysmëfinalja ka qenë stacioni i fundit drejt çmimit “Operalia” për dyshen nga Kosova. Elbenita Kajtazi dhe Marigona Qerkezi nuk janë në mesin e dhjetëshes finaliste. Të mërkurën mbrëma skena e teatrit prestigjioz “Teatro Nacional de São Carlos” në Lisbonë mirëpriti 23 këngëtarë të operës në garën prestigjioze të operës “Operalia”, që organizohet nga legjenda e lirikës Placido Domingo. Aty u ngjitën edhe sopranot e njohura kosovare, por asnjëra nuk kaloi në rundin tjetër. Megjithatë, paraqitja e tyre qe e denjë, shkruan sot Koha Ditore.

E para prej dy sopranove kosovare u ngjit Kajtazi, e cila këndoi para jurisë profesionale arien “Je marche sur tous les chemins” nga opera komike në pesë akte “Manon” e kompozitorit francez Jules Massenet. Ajo zuri vend në skenë e përcjellë nga pianoja dhe hyri në rolin e Manones. Në këtë arie, personazhi i saj paraqitet para turmës dhe u tregon adhuruesve të saj rreth filozofisë së jetës pa u brengosur se çka vjen më pas. Ajo këndon sesi rinia është kohë e shkurtër dhe duhet kaluar me dashuri, duke kënduar dhe vallëzuar. Këtë rrëfim e solli Kajtazi përmes këngës, por edhe lëvizjeve të vogla në skenë.

Ndërsa Qerkezi, e cila këndoi arien “Il dolce suono…Spargi d’amaro pianto”, nga opera “Lucia di Lammermoor” e kompozitorit të njohur Gaetano Donizetti, solli më shumë aktrim në skenë. Në rolin e Lucias, sopranoja kosovare solli pjesën ku ajo imagjinon kinse është me Edoardon, me të cilin shumë shpejt pret të martohet. Enrico paraqitet dhe fillimisht e kërcënon atë, por kur e sheh gjendjen e saj ai zbutet. “Il dolce suono...” nga “skena e çmendisë”, historikisht ka qenë pjesë shumë e rëndësishme për soprano dhe është shumë kërkuese teknikisht dhe në aspektin ekspresiv. Qerkezi, në skenën e teatrit në Lisbonë, e interpretoi fuqishëm këtë arie...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)