Kulturë

Seminaristët serbë i cilësojnë shqiptarët miqësorë dhe të shoqërueshëm

Kristina Stankoviq nga Aleksinaci, Marija Ivanoviq nga Çaçaku dhe Tomisllav Perushiq nga Subotica, të cilët studiojnë gjuhën shqipe në Beograd, këtë vit po marrin pjesë në Seminarin e 37-të të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mbahet në Prishtinë.

Kristina dhe Marija (20), të cilat kanë përfunduar vitin e parë të studimeve, për herë të parë marrin pjesë në seminar dhe për herë të parë vijnë në Kosovë, ndërsa Tomisllavi (28) ka përfunduar vitin e tretë dhe kjo është hera e tretë që merr pjesë në seminar kurse Kosovën e ka vizituar disa herë.

Kristina në një prononcim për AA thotë se ndjehet mirë në Kosovë dhe se aspak nuk është ashtu siç e kishte paramenduar, pasi që Kosova paksa më ndryshe paraqitet në Serbi.

“Nuk kam pritur që njerëzit të jenë kaq të mirë dhe miqësorë ndaj serbëve, ndaj nesh që kemi ardhur nga Beogradi”, thotë Kristina Stankoviq.

Ajo tha se ka patur mbështejen e prindërve për të ardhur në Prishtinë, ashtu siç ka mbështetjen e tyre të plotë për të studiuar gjuhën shqipe.

“Prindërit dhe të afërmit e mi e kanë pranuar mirë, pasi që ne kemi miq shqiptarë dhe e dimë se sa miqësorë janë ata, por për miqtë e mi kjo ishte plotësisht absurde dhe nuk ishin aq të lumtur që zgjodha të studioj pikërisht gjuhën shqipe”, thotë Kristina. Ajo thekson se në Serbi shumë është e vlefshme të dish gjuhën shqipe, kryesisht për shkak të gjendjes aktuale politike, pasi që nevojiten përkthyes.

Po ashtu edhe kolegia e saj Marija për një javë qëndrimi në Prishtinë është përplot me përshtypje të mira.

“Me të vërtetë e papritur. Si miqësia, si njerëzit, po ashtu edhe komunikimi është diçka e papritur me njerëzit nga Kosova dhe neve nga Serbia. Aspak nuk kam pritur se do të jetë kaq mirë. Pasi që neve gjërat na servohen krejtësisht ndryshe, unë me të vërtetë jam shumë e befasuar dhe e kënaqur”, tha Marija.

Familja e saj në fillim ishte e shokuar me vendimin e saj për të studiuar gjuhën shqipe, por me shpejtësi kishin vërejtur se kjo është një plus për jetën e saj të mëtejshme.

“Kurse mjedisi këtë e pranoi pak më vonë, por ende janë të shokuar kur u tregoj, posaçërisht pse unë jam nga një qytet i vogël, kjo e bën edhe më të pazakontë ngjarjen. Edhe një vajzë tjetër nga Çaçaku studion gjuhën shqipe dhe kjo për ta është shokuese”, thotë Maria.

Tomisllav Perushiq planifikon që pasi të përfundojë studimet në Beograd të vijë për magjistraturë në Prishtinë. Tashmë disa herë ka ardhur në Kosovë, kështu që ka inkurajuar studentët e rinj të vijnë në Prishtinë, jo vetëm me fjalë, por edhe me fotot që ka publikuar në rrjetet sociale.

“Unë për shqiptarët nuk kam ditur thuajse asgjë para se të vija në Kosovë, por nuk kam pasur paragjykime. Thjeshtë, nuk kisha kurrfarë informacionesh, kurrfarë njohuri për gjuhën, historinë, kulturën, traditën, ndërsa shumë më interesonte, pasi që janë fqinjët tanë të parë”, tregon Tomisllavi.

Siç tregon, ka qenë i befasuar kur për herë të parë ka ardhur në Kosovë, pasi që ka menduar se në Kosovë është kaos, diçka e ngjashme si në Sirinë e sotme, e cila është në luftë, ndërsa ka hasur në një Kosovë të ndërtuar dhe të modernizuar.

“Kisha përshtypje pozitive me njerëzit me të cilët njoftohesha, me të cilët personalisht bisedoja dhe të gjithë gëzoheshin kur u thosha se studioj gjuhën shqipe, pasi që pak kush merret me gjuhën shqipe në botë, dhe posaçërisht në Beograd. Mendoj se ky është një popull dhe një kulturë që është lënë shumë pas dore në Ballkan. Shumëçka dihet për popujt tjerë, kurse për shqiptarët shumë pak”, thotë Tomisllavi, të cilit interesi për gjuhën dhe kulturën shqiptare iu ngjall gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ku për herë të parë në jetë kishte takuar shqiptarët.

Tomisllavi gjatë bisedës tonë kishte veshur fanellën e kombëtares së Kosovës në basketboll, ndërsa mbante orën dhe këllëfin e telefonit celular me flamurin shqiptar. Këto nuk i mban me qëllim për të provokuar, por siç thotë, njerëzit të kuptojnë se shqiptarët ekzistojnë dhe se ata janë edhe në Beograd dhe në Suboticë prej nga vjen ai dhe se janë fqinjë të mirë.

“Unë nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me luftërat, me konfliktet, isha i vogël. Unë kam përgjegjësinë të mësoj se çfarë ka ndodhur dhe të flas rreth kësaj, por unë nuk dua që barrën e të tjerëve ta kem mbi vete dhe për shkak të disa gjeneratave të vjetra të vuaj”, ka thënë Tomisllav.

Ai konsideron se ka ardhur koha që gjërat të ndryshojnë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe një rol të veçantë në thyerjen e paragjykimeve mund ta kenë gjeneratat e reja, kryesisht gjenerata e Kristinas dhe Marijas.

Gjithashtu edhe Marija konsideron se ajo çfarë ka ndodhur nuk mund të ndryshojë dhe se kjo do të mbetet në histori, por se bota u mbetet të rinjve dhe se të rinjtë serbë dhe shqiptarë mund të jenë fqinjë të mirë, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jetojnë në paqe dhe harmoni si dhe të njohin njëri-tejtrin.

Kristina porosit të rinjtë që më shumë t'i përkushtohen kulturës dhe të mësojnë zakonet dhe të mos shohin shumë politikë, ndërsa Tomisllav thekson se nëse ai si individ mund të jetojë dhe të miqësohet me shqiptarë, atëherë mundet çdokush.

“Nëse ne mund të qëndrojmë këtu dhe të flasim lirë serbisht, atëherë askush nuk mund të na thotë se kjo nuk lejohet në Prishtinë apo në Kosovë dhe ne jemi vetëm një dëshmi se gjërat nuk qëndrojnë siç flitet dhe se ky vend nuk është i rrezikshëm për serbët, aspak më e rrezikshme për shqiptarët që jetojnë këtu. Edhe njëri edhe tjetri përjetojnë gjendje të njëjtë, ashtu si në Serbi”, përfundon Tomisllavi.