Kulturë

Animacioni konsiderohet mjet i fuqishëm kundër stereotipave

Descriptive Text

Pejë, 17 gusht – Se çfarë mund të bëjë animacioni në luftën për barazi gjinore, në thyerjen e stereotipave a në përmirësimin e gjendjes shoqërore, ka qenë diskutimi edhe në panelin e radhës, të enjten në kuadër të edicionit të nëntë të festivalit ndërkombëtar të animacionit, “Anibar”. Ashtu sikurse edhe programi i filmave, krejt aktivitetet përcjellëse i përshtaten motos së sivjetme, “50/50”.

Në panelin e mbajtur në Galerinë e Arteve është diskutuar mundësia e sfidimit të stereotipave gjinorë përmes animacionit, pasi edhe në kulturën shqiptare krijon kuptimin e vet për rolin e burrave dhe grave në shoqëri. Këto kuptime përfshijnë një sërë parashikimesh se si duhet të sillen të dy gjinitë. Kur ekzagjerohen, këto parashikime shndërrohen në stereotipa gjinorë, që kufizojnë funksionimin individual dhe kanë efekte negative në marrëdhëniet njerëzore, si dhe në shoqëri.

Njëra prej dy panelisteve, Visare Gorani, e cila tash 20 vjet është aktive në fushën e të drejtave të njeriut, konsideron se animacioni është një rrugë shumë origjinale për ta trajtuar çështjen e barazisë gjinore.

Në të njëjtën ditë në kinemanë “Jusuf Gërvalla” u mbajt program special, i drejtuar nga autorja dhe producentja franceze e filmave të animuar Luce Grosjean, e cila këtë vit ka qenë e nominuar për “Oscar” për animacionet e saj.

Të mërkurën mbrëma moti nuk ishte në anën e “Anibarit”, pasi për shkak të reshjeve të shiut në orët e mbrëmjes, filmat garues në dy kategori, atë ndërkombëtare dhe të studentëve, nuk janë shfaqur në kinematë “Liqeni” dhe atë “Kubat” në Parkun e Karagaqit, por në kinemanë “Jusuf Gervalla”.

“Nëse edhe netët e tjera kushtet atmosferike nuk na lejojnë që të shfaqen filmat në kinematë e hapura në Parkun e Karagaqit, filmat do të shfaqen në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’”, ka thënë drejtori i “Anibarit”, Vullnet Sanaja (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).