Prizreni synon të akordohet për “Zambakun” jubilar

Prizreni synon të akordohet për “Zambakun” jubilar

16 gusht 2018 13:29

Prishtinë, 16 gusht – Debati nëse duhet mbajtur apo jo edicioni i sivjetmë i festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit” ka çuar në këmbë edhe institucionin më të lartë të vendimmarrjes në këtë Komunë. Sot (e enjte) për këtë çështje do të diskutohet në Kuvendin Komunal të qytetit jugor. Shkas për këtë janë bërë dëgjimet publike të ekzekutivit të Komunës, ku është shqyrtuar edhe mundësia që festivali këtë vit të mos mbahet fare. Të shpejtë janë treguar asamblistët e AAK-së, të cilët kanë mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme në Asamblenë Komunale. Por të mërkurën ka reaguar edhe i pari i Prizrenit, kryetari, Mytaher Haskuka.

Ai nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka bërë të ditur se Komuna po e përgatit edicionin e 30-të të “Zambakut...”. Ka shkruar se me të ardhur në detyrë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka pasur komunikim të vazhdueshëm me komunitetin artistik dhe organizatat kulturore lidhur me politikat aktuale të kulturës dhe mënyrën e organizimit të jetës kulturore në qytet. Sipas Haskukës, ndër shqetësimet kryesore të hasura në këto diskutime ka qenë mënyra e organizimit të festivalit dhe mungesa e vazhdimësisë në cilësinë artistike dhe standardit organizativ.

“Për ta përfshirë komunitetin në këtë diskutim, DKRS-ja ka organizuar edhe debate publike ku ka matur pulsin e komunitetit të festivalit ‘Zambaku i Prizrenit’. Duke pasur parasysh traditën e shquar muzikore të Prizrenit, përfshirë shkollën e parë të muzikës në Kosovë, shoqëritë kulturore-artistike të shumta, kompozitorë dhe instrumentistë të shumtë të dalë nga Prizreni si dhe ‘Zambakun...’,”, ka shkruar Haskuka.

“Zambaku i Prizrenit” është festival i këngës së vjetër qytetare, i cili organizohet gjatë javës së parë të korrikut qysh prej vitit 1986, ndërkohë që vazhdimësia dhe cilësia e tij janë sfiduar në disa edicione të pasluftës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme