Kulturë

Teatrit Kombëtar i rikthehen vërshimet, rrezikohet hapja e sezonit

Descriptive Text

Pesë muaj pasi gjendja u konsiderua alarmante, për Teatrin Kombëtar të Kosovës telashet me ujërat e zeza nuk kanë përfunduar. Të martën, niveli i ujit në bodrumin e TKK-së ka arritur në gjysmë metri.

Krejt kjo është duke u shkaktuar nga bllokimi i pusetave në afërsi të objektit të institucionit më të lartë teatror në vend. Vazhdimisht është ofruar zgjidhje e përkohshme nga kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, por prej prillit nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë në terren për evitim të përhershëm të problemit.

Në mëngjesin e së martës salla e ushtrimeve e Baletit Kombëtar të Kosovës ka shpëtuar për pak nga vërshimi i ujërave të zeza. Është dashur ndërhyrja e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” që të zbresë niveli i ujit.

Në këtë gjendje zyrtarët e TKK-së dhe të BKK-së kanë thënë se është duke u rrezikuar fillimi i sezonit të ri në shtator (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).