Kulturë

Pastrohet parku i Gërmisë nga bërlloku i mbetur pas festivalit “Sunny Hill”

Pak kohë pasi në media po qarkullonte një fotografi nga pasojat e festivalit “Sunny Hill” në Gërmi, ku toka ishte mbuluar me mbeturina, ka ardhur reagimi i organizatorëve.

Alban Kastrati, menaxher i festivalit, ka njoftuar se është bërë pastrimi i parkut nga mbeturinat.

Për Koha.net, Kastrati ka bërë me dije se ka qenë përgjegjësi e Hortikulturës që të bëhet pastrimi i hapësirës ku është mbajtur festivali, mirëpo ka thënë se kompania nuk ka shumë staf dhe vet menaxhmenti ka angazhuar dy kompani private për të bërë pastrimin.

“Ka qenë përgjegjësi e Hortikulturës që të bëjë pastrimin e terrenit ku është mbajtur festivali, mirëpo kompania nuk ka shumë staf dhe ne kemi angazhuar dy kompani private që të bëjnë pastrimin e hapësirës”, ka thënë Kastrati.

Ai ka sqaruar se arsyet e vonesës së pastrimit kanë qenë teknike pasi që, siç thotë ai, është dashur të hiqen dy skenat që kanë qenë të ndërtuara për festival, e më pas të bëhet pastrimi i tërësishëm.

“Kemi qenë në pritje të heqjes së dy skenave të ngritura për festival, pasi që nuk mund të bëhet pastrimi i duhur i mbeturinave derisa skenat janë të ngritura. Prandaj është zgjatur ndoshta periudha e pastrimit, mirëpo edhe në këto momente jemi duke punuar që ta kthejmë në gjendjen siç ka qenë, apo ndoshta edhe më mirë”, u shpreh për Koha.net menaxheri i festivalit, Alban Kastrati.

Në parkun e Gërmisë, për 3 net radhazi është mbajtur festivali “Sunny Hill”, ku performoi super-ylli botëror me prejardhje nga Prishtina, Dua Lipa, por edhe artistë tjerë të famshëm me prejardhje shqiptare, si reperi Action Bronson, pastaj Albert Stanaj, po ashtu artist i njohur ndërkombëtarisht, reperi tjetër shqiptar që jeton në SHBA, G4shi, si dhe DJ i njohur, Martin Garrix.

Në festival u paraqitën edhe artistë të shumtë lokalë, por edhe të tjerë ndërkombëtarë.