Kulturë

Aktorja nga Kosova që hapi rrugë të reja me “Casualty”

Descriptive Text

Seriali televiziv, i cili vitin e kaluar mes tjerash mposhti “Game of Thrones” në një garë prestigjioze në Britani të Madhe, njihet si drama me transmetimin më të gjatë në botë.

“Casualty” këtë vit transmeton sezonin e 32-të në kanalin e njohur BBC One. Ky serial gjatë këtyre tri dekadave ka marrë shumë çmime dhe nominime, mes tyre edhe një “Bafta”.

Aktorë të ndryshëm britanikë ndër vite janë portretizuar në episodet e tij, mes së cilëve edhe Kate Winslet –fituese e çmimit prestigjioz “Oscar” – e Orlando Bloom. Pjesë e serialit së fundmi është bërë edhe një aktore kosovare, shkruan Koha Ditore.

Arita Sadiku, e cila jeton në Londër, ka portretizuar rolin e Daniellës në episodin e 43-të, ngjarja e së cilit zhvillohet në një spital, më saktësisht në Departamentin e aksidenteve dhe emergjencës. Secili episod zakonisht përmban një incident të ri, përkrah linjës së vazhdueshme të komplotit.

Sadiku me këtë rol i ka hapur dyer të reja karrierës artistike. Ajo ka të përfunduar shkollën e dramës në “Oxford School of Drama”, ku është shkolluar për film, teatër dhe radio. Me “Casualty” ajo veç sa ka nisur rrugëtimin premtues. Krahas karrierës në ekran ajo shumë shpejt do të ngjitet në skenën e një prej teatrove më të vjetër në Britani të Madhe “The Rose Playhouse”. E veshur në petkun e Jessicas, ajo do të bëhet pjesë e shfaqjes së njohur të Shakespearit, “Tregtari i Venedikut”... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)