Kulturë

Jeta dhe veprimtaria e Alidemës si dëshmi e historisë shqiptare

Libri i prof. dr. Hysen Matoshit “Mr. Halil Alidema - Jeta dhe veprimtaria” është një studim monografik që u kushtohet sakrificave dhe përpjekjeve të pandalura të intelektualit atdhetar, Halil Alidema, në rrugëtimin e tij për jetësimin e lirisë dhe të drejtave të plota të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Autori i librit që në fillim thekson se subjekti studimor i tij, Halil Alidema, që si fëmijë kishte parë pasojat e drejtpërdrejta të pushtimit të huaj. Pra, siç edhe thotë studiuesi prof. dr.Hysen Matoshi, me hyrjen në viset shqiptare të njësive partizano-çetnike, me arsyetim se po i luftojnë bashkëpunëtorët e fashizmit dhe kundërshtarët e rendit të ri socialist, menjëherë fillojnë vrasjet dhe persekutimet e shqiptarëve. Kështu që në fillim të sundimit të tyre, lëvizja komuniste në Jugosllavi do të zhvlerësonte idealet dhe parimet e barazisë sociale e kombëtare, duke bërë shkeljen e tyre në raport me shqiptarët, shkruan sot "Koha Ditore".

Për më tepër, në vend të afrimit dhe të pajtimit etnik, partizanët me dhunën e ushtruar vetëm thelluan urrejtjen ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kështu ndodhi edhe me familjen e Halil Alidemës, të cilit forcat partizane ia pushkatuan babanë dhe xhaxhanë, ndërsa dy xhaxhallarë të tjerë u detyruan të largoheshin nga Kosova.

Natyrisht, kjo vetëm sa e kishte forcuar ndjenjën kombëtare dhe nevojën për liri të Halil Alidemës dhe brezit të ri të intelektualëve shqiptarë në Jugosllavi. Duke pasur parasysh se Jugosllavia e Titos në periudhën 1948- 1980 kishte një mbështetje të madhe ndërkombëtare,sidomos të faktorit perëndimor, shqiptarët e mbetur në Jugosllavi mbështetjen e vetme e kishin në shtetin amë.

Prandaj nuk habit fakti që brezi i Halil Alidemës jo vetëm mbështesnin Shqipërinë e Enver Hoxhës, por me të drejtë edhe e madhëronin. Ata e madhëronin vendin amë dhe sistemin e tij, ngase kështu ata shpresonin të forconin unitetin dhe atdhedashurinë aq të nevojshme për shqiptarët, në mënyrë që të bashkuar dhe pa dallime të brendshme ideologjike t’i bënin ballë makinerisë shtetërore nacionaliste serbe të Jugosllavisë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.