Kulturë

Flakë në Ballkan: opinionet e Edith Durham-it

Edith Durham është etnografja më e njohur nga shqiptarët. Më ka rastisur që studentë të vitit të parë të antropologjisë kulturore, të befasohen kur dëgjojnë se ajo s’ka qenë shqiptare. Kur i kam pyetur pse kanë menduar ashtu, më kanë thënë se pak a shumë kjo vjen nga referimi që i bëhet si “albanologe” dhe emri i saj shqiptohet edhe si “Edita”. Pak autorë të huaj gjenden në kujtesën publike të një populli sa duket të ketë qenë Edith Durham në kujtesën e shqiptarëve të veriut. E kjo prezencë vazhdon edhe sot.

Gjatë viteve të para të shekullit të kaluar, Durham ka qenë prezent në jetën e shqiptarëve, por edhe të serbëve, malazezëve e të tjerëve në këto vise. Megjithatë, te shqiptarët Durham gjen prehjen për të menduar e diskutuar për njeriun, historinë dhe botën evropiane. Veprat e saj janë të shumta, shkrimet e saj janë të lexueshme lehtë, përshkrimet dhe analizat e saj janë të rëndësishme për pasqyrën historike e etnografike të kalimit të shoqërisë shqiptare nëpër prag të derës që ndan Perandorinë Osmane dhe Shqipërinë si entitet më vete. Ajo është dëshmitare e “kalimit” të shqiptarëve nga një regjim i gjatë nën një gjendje të re. E, në esencë, proza e saj mbërthen përpjekjet, dilemat, problemet, sfidat, dhe aspiratën shqiptare në këtë fazë të “vlimit” dhe “kalimit”.

Durhami është prezent në bibliotekën shqiptare që nga koha kur ka shkruar: shumica e vepra të saj janë përkthyer në gjuhën shqipe, ka një bibliografi të botuar në gjuhën shqipe për shkrimet e saj, ka monografi për te, ka shkrime të shumta për temat e shqyrtuara nga ajo, citohet dhe lexohet mjaft shumë prej shkollave të mesme e deri në studime specifike etnografike. Por, besoj se ende ka shumë punë për t’u bërë. Për shembull, jo të gjitha veprat e saj janë përkthyer në gjuhën shqipe, ende vepra e saj nuk është botuar në tërësi as në gjuhën angleze dhe proza e saj është e shkapërderdhur nëpër vende të ndryshme. Artifaktet e mbledhura nga ajo ende nuk janë pjesë e ndonjë ekspozite permanente. Një përmbledhje e shkrimeve të saj në një vepër komplete do ta ndihmonte lexuesin që ta lexonte më lehtë dhe ta interpretonte prej më së afërmi profilin e saj si prozatore e veçantë e jetës dhe kulturës shqiptare, në kohën kur shkrimet për shqiptarët ishin të pakta.

Megjithatë, emri i saj, vazhdon të bëhet titull i botimeve të reja. Një ndër botimet e fundit është edhe përmbledhja e shkrimeve në revista e gazeta të ndryshme, nën titullin “The Blaze in the Balkans: selected writings 1903–1941- M. Edith Durham” [2014], redaktuar nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, me hyrje të Elizabeth Gowing. Shkrimet e përmbledhura këtu japin një pasqyrë të mirë të interesimit etnografik që Durham ka patur në viset e Ballkanit dhe kryesisht për shqiptarët. Shumë prej shkrimeve janë shkrime etnografike, por ka edhe shkrime të cilat lexohet si mendime apo edhe këshilla politike të kohës. Dhe ndoshta këto shkrime janë sharmi i kësaj përmbledhjeje.

Për shembull, në disa nga letrat ku shfaqet mendimi politik i Durhamit, lexoj një brengë dhe një dëshirë të shkoqitur. Brenga ishte Rusia e lidhur me Serbinë në Ballkan dhe agresioni kundër “kafkës së gjatë”, një term goxha problematik sot, të shtyrë në qoshe të Evropës perëndimore, si thekson ajo, nga kafka e shkurtër sllave. Politikisht, ajo vajton rënien e teutonëve në qendër të Evropës dhe bën me gisht te apetiti i sllavëve për ekspansion. Dëshira e saj qe pavarësia shqiptare nga Turqia dhe Serbia dhe lidhja e tyre me Fuqitë Perëndimore, por si shoqëri e lirë, jo si shoqëri që duhet t’i vizatoheshin kufijtë si iu kishin vizatuar nga këto Fuqi të Mëdha. Krejt kjo për t’i pasur shqiptarët si një barrierë lokale ndaj ekspansionit të sllavëve të jugut, përkatësisht serbëve. Ndoshta ky është lexim selektiv, do të thoshte kritiku, por kur lexohen letrat si ajo “Ballkani si vend rreziku”, do të shihet qartë se prej nga formësohet mendimi i saj, pavarësisht sensibilitetit të sotëm kritik ndaj gjeneralizimeve të tilla.

Diskutimet e “gjurmëve” të mbetura te shqiptarët janë të njohura edhe në shkrimet tjera, ashtu sikurse janë të njohura edhe përshkrimet e udhëtimeve të saj nëpër vise të ndryshme brenda maleve shqiptare. Por, në këtë përmbledhje vijnë edhe shkrime të cilat tregojnë edhe faqe tjera të mendimit durhamian. Le t’i citojmë dy paragrafë nga dy letra të ndryshme. Në një shkrim, Durham na del si etnografe par exellence duke përshkruar sjelljen, doket e tabutë e vrojtuara prej së afërmi. Në tjetrin, ajo jep mendimin gjeostrategjik duke u bazuar në njohjen e terrenit të saj. Më 1925 në shkrimin “Fiset e Shqipërisë së Veriut” [The Tribes of Northern Albania] të botuar në “Discovery: A Monthly Popular Journal of Knowledge”, pos tjerash, ajo nënvizon nevojën për një etnografi apo folkloristikë të domosdoshme për shkak të humbjes së praktikave në besime e folklor pagan:

“Nën pushtimin turk, asnjë shkollë, përveç atyre nën protektoratin e huaj, nuk u lejua të ushtronte mësimin në gjuhën shqipe…besimet dhe doket e lashta që mbetën në viset e thella malore dhe që janë me interes për të gjithë studentët e historisë, do të zhduken shumë shpejt…tabuja e emrit […] nuk është zhdukur. Gratë refuzojnë të përmendin emrin e burrit të tyre. Më thoshin se nuk ishte modeste të përmendej emri i burrit. Shihej qartë se ishin në hall kur kërkohej të përmendej emri i burri të tyre. Shpesh edhe qanin nëse kërkohej prej tyre të përmendej emri i burrit”. (fq. 182-187]

Thirrja për etnografi shpëtuese mund të etiketohet me fjalë derogative për sensibilitetin e sotëm antropologjik. Por, mos asgjë tjetër, kjo thirrje është e nevojshme edhe sot për të evidentuar kujtesën shqiptare të njëqind viteve të fundit, për të cilat historianët thonë se kanë prodhuar më shumë dinamikë sesa pesë shekujt nën Perandorinë Osmane. Kjo sepse, shqiptarët kanë kaluar nëpër pragje të ngushta të sistemeve politike. Për lexuesin e hollë, duhet theksuar se tabuja e emrit të burrit nuk është shuar ende. Ende vërehen raste të shumta në Kosovë, kur gratë e moshuara mbi 70 vjet ende i referohen burrit me “ky njeri!”, pa ia përmendur emrin. Durham ka evidentuar tabu, besime, praktika dhe sjelljet të cilat sipas saj, në gjuhë evolucioniste, tregojnë se janë “gjurmë” se shqiptarët janë një popull antik, që sipas saj ka mbijetuar brenda hapësirës malore, ku kanë mbizotëruar doket e veta, duke refuzuar secilin ardhacak.

Në vitin 1924 në “Journal of British Institute of International Affairs”, në shkrimin e saj “Ballkani si vend rreziku”, ajo thekson:

“Për herë të parë për shekuj me radhë, një racë [a.c. fjala racë përdoret, si në gjithë gjuhën e kohës, më shumë në kuptimin e grupit etnik, ndonëse ka edhe implikime tjera] – serbët – dominojnë Gadishullin Ballkanik, dhe ajo racë është aleati i zgjedhur i Rusisë. Sllavët në tërësi, si e dinë të gjithë ata që kanë jetuar me ta, besojnë se është fati i tyre të sundojnë Evropën dhe ta sjellin kulturën e tyre në Evropë. Sa i përket këtij fati, Rusia e ka parë veten si agjent i dërguar nga parajsa. Tani Rusia po kalon nëpër një flamë. Por, nuk ka asnjë shenjë se qëllimi i saj do të ndryshojë. Më herët, “misioni” i saj ka qenë të përhapë kishën e saj, Kishën e Shenjtë Ortodokse, ndërsa tani synon të përhapë format e qeverisë dhe ekonomisë së saj krejtësisht jo-ortodokse nëpër Evropë. Vetëm emri ka ndryshuar. Herët a vonë Rusia do t’ia mësyjë Perëndimit dhe do të gjejë mjete më të forta se më herët për t’ia arritur qëllimit.” [fq. 171-172]

Pa dyshim se Durham ka zgjedhur të japë edhe opinione parashikuese për gjendjen gjeopolitike të Ballkanit. Ajo, po ashtu, ka zgjedhur të jetë një prej zërave më të fuqishëm në vizatimin e gjendjes kulturore dhe politike të shqiptarëve në vigjilje të pavarësisë së tyre por edhe pas pavarësisë së tyre, kur Fuqitë e Mëdha synon të mbanin kontrollin përmes princave të tyre, apo influencë së tyre indirekte. Sepse, edhe në këto letra, por edhe në disa shkrime të saj në libra, Durham tenton të shenjojë ndikimin rus në Ballkan përmes Serbisë dhe rrezikun për Evropën Perëndimore. Kësisoji, ajo do që, si popull i lashtë dhe i qëndrueshëm, ashtu si ajo i sheh, shqiptarët mund të jenë barrierë e vogël, por e rëndësishme ndaj aspiratës ruse të lidhur si me kërthizë me aspiratën serbe për të kontrolluar Ballkanin dhe Evropën. Nëse jo shpirtërisht, të paktën ekonomikisht. Kjo aspiratë ruse po vërehet edhe sot pas më shumë se një qind vitesh, me tendencën për ndikim në Ballkan.

Këto shkrime të përmbledhura dhe përgatitura nga redaktorët, Bejtullah Destani dhe i ndjeri Robert Elsie, vijnë në një libër me parathënie të Elizabeth Gowing, e cila vetë është një shkrimtare, udhëpërshkruese e filantrope që njeh jetën e Kosovës dhe ka shkruar mjaft për të, nga veta e parë. Ky libër është referencë e mirë dhe një hap tutje drejt përmbledhjes së të gjitha shkrimeve të Edith Durham-it.

(Shkruan Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)