Kulturë

“BRICK” sjell forum teatër me të rinjtë e Kaçanikut

Prishtinë, 26 korrik - Forum teatri është krijuar nga Augusto Boal, si një prej teknikave të përfshira nën termin “teatri i të shtypurve”. Është i veçantë sepse angazhon edhe spektatorët, edhe aktorët. Çështjet që trajtohen në forum teatër shpesh lidhen me fusha të drejtësisë sociale që mëtojnë të gjejnë zgjidhje për të shtypurit, të cilët pasqyrohen në performancë.

Një zgjidhje për sfidat e orientimit në karrierë do të mundohen ta gjejnë edhe shtatë të rinj të Kaçanikut, në një shfaqje që ka marrë formë në kuadër të Programit “BRICK” (Building Resilience in Individuals and Communities in Kosovo) i themeluar dhe implementuar nga organizata udhëheqëse CDF (Community Development Fund) në bashkëpunim me organizatat “Integra”, CCPA-Kosova (Cross Culture Project Association), ICK (Innovation Center Kosovo) dhe Instituti Columbus. Nën udhëheqjen e regjisorit Lulzim Bucolli, nxënësit e shkollës së mesme “Skënderbeu” e kanë sfiduar veten në aktrim. Shfaqja e realizuar në formën e forum teatrit do të shfaqet për audiencën në muajin shtator. Është vetëm një prej rezultateve që ka dhënë programi i iniciuar me qëllim të fuqizimit dhe zhvillimit pozitiv të individëve dhe komuniteteve në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Forum teatër për orientimin në karrierë

Në vitet ’60 Augusto Boal dhe kompania e tij teatrore “Teatro de Arena de Sao Paulo” kishin udhëtuar nëpër disa prej lagjeve më të varfra të Brazilit, duke inskenuar produksione që nxitën veprime kundër padrejtësive dhe shtypjeve të ndryshme. Më vonë, më 1973, derisa po punonte për një projekt letrar në Peru, Boal e kishte aplikuar një formë teatri që e kishte titulluar “dramaturgji simultante”. Këto shfaqje bazoheshin rreth gjetjes së zgjidhjes së një problemi, për të paraqitur një moment krize të protagonistit. Në momente të tilla audienca ftohej të sugjeronte veprimet se si aktori duhet ta zgjidhte problemin. Pikërisht prej këtyre eksperiencave u lind forum teatri, me forumin që ishte pjesë e shfaqjes. Kjo ndryshoi punën e artistëve duke iu dhënë mundësi të krijonin një hapësirë të re të të mësuarit kolektiv ndërmjet artistëve dhe komunitetit.

Mbi këtë bazë regjisori Lulzim Bucolli e ka nisur punën me të rinj entuziastë. Grupi i tij përfshin shtatë nxënës të shkollës së mesme “Skënderbeu”. Ata janë zgjedhur nëpërmjet një audicioni që kishte zgjuar interesim goxha të madh. Prej muajit maj Bucolli ka nisur punën intensivisht. Puna do të finalizohet me premierën e shfaqjes që do të jepet nga mesi i shtatorit.

Bucolli ka shpjeguar se si ka nisur takimet e para me nxënësit, pa e pasur një temë të caktuar. Ka dashur të dëgjojë prej tyre se çfarë i intereson komunitetit atje.

“Kam shkuar vetëm për forum teatër. Pas një pune njëmuajshe kemi nisur të orientohemi më shumë nga orientimi në karrierë. Pastaj i kemi studiuar sfidat që i ka njeriu në karrierë derisa dëshiron të arrijë diçka. Pastaj ata kanë folur për studimet, se çfarë duan të studiojnë, se janë në shkollë të mesme, kjo është brenga e tyre”, ka shpjeguar Bucolli.

Ai i ka pyetur të rinjtë se me cilat sfida ballafaqohen kur janë në prag të përcaktimit për karrierë. Ka dëgjuar se si ata gjykohen nga shoqëria, prindërit dhe se si kanë edhe dilema të brendshme personale.

“Kemi folur se si këto brenga të brendshme e të jashtme lidhen. Mandej e kemi orientuar nga teatri. Kemi bërë lloj vizatimesh, se si duket ky njeri që i ndalon ata. E kemi mishëruar. Na ka dalë një baba arkaik, stereotip. E kemi krijuar për arsye të konfliktit, të nxjerrim konflikt. Dikush e ka pasur paragjykimin prej shoqërisë, aspekteve të ndryshme. Dhe për të mos e paraqitur vetëm babanë si telash duhet të punoj tutje, ta shpërbëjmë”, ka shpjeguar Bucolli.

Forum teatrit i duhet një personazh negativ, që kushtimisht, të jetë antagonist, derisa protagonistët e shfaqjes janë të rinjtë që e sfidojnë atë. Të gjitha këto do të trajtohen në shfaqje.

Bucolli beson që të rinjtë e Kaçanikut kanë shumë energji që duhet kanalizuar në gjëra të mira. E arti gjithmonë është përdorur për ta riorientuar atë në gjithë botën.

“Kur kam shkuar aty s’kam dashur ta cekja pse. Kam thënë se dua të punoj, të bëj diçka të re, diçka me art, paqësore. Është teatër paqësor. Ata nuk kanë aktivitete kulturore. E kanë pritur shumë mirë. Audicioni ka qenë si shenjë e mirë, sepse kanë ardhur shumë studentë. Ky është teatër për ndryshim. Energji ka sa të duash. Po shpresoj që po ndikoj tek këta të rinj se për mua qëllimi është më shumë të punoj me ta sesa ta ndryshoj shoqërinë. Se ndryshimi vjen ngadalë”, ka thënë ai.

Një program për fuqizimin e të rinjve

Programi “BRICK” përfshin edhe aktivitete kulturore me të rinjtë e shkollave të mesme të Kaçanikut. Gjatë tërë fazës së implementimit do të punohet me dy klube teatrore dhe një klub muzikor.

Kushtrim Koliqi nga “Integra”, një prej partnerëve që zbaton programin, ka thënë se format artistike janë mundësi alternative për të rinjtë e përfshirë në këtë program.

“Fillimisht nëpërmes formave artistike ne mëtojmë që të rinjve në Kaçanik t’u ofrojmë një mundësi alternative angazhimi ku, përveçse të punojnë me profesionistë të fushës së teatrit, atyre u jepet mundësia për t’u shprehur apo reaguar në lidhje me çështjet që ata i preokupojnë.

Njëkohësisht ne tentojmë që të promovojmë konceptin e aktiviteteve passhkollore, rëndësinë e tyre dhe mundësinë që institucionet edukative t'i prioritizojnë ato në planprogramet arsimore”, ka thënë Koliqi, duke shtuar se përveç të angazhuarve direkt në klube teatrore, nëpërmjet forum teatrit, motivohen edhe audiencat – të rinjtë tjerë – që të kyçen aktivisht në prodhimet e programit nëpërmjet shprehjeve të tyre të lira për çështje të caktuara. Koliqi ka shpjeguar se tashmë është themeluar Klubi i parë Teatror – në gjimnazin “Skënderbeu” – dhe puna me të rinjtë e këtij klubi është duke vazhduar.

“Krijimi i këtij klubi i ka kaluar disa faza dhe një prej fazave fillestare ka qenë audicioni, ku interesimi i të rinjve ka qenë jashtëzakonisht i madh. Pas përzgjedhjes së 11 të rinjve stafi profesional i angazhuar enkas për këtë projekt ka filluar provat. Që nga fillimi i muajit maj aktivitetet dhe provat me pjesëtarët e klubit janë duke vazhduar dhe ne jemi shumë të kënaqur me angazhimin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve”, ka shpjeguar Koliqi, duke shtuar se puna me këtë klub do të vazhdojë edhe gjatë verës dhe pritet që në shtator të jepet premiera e shfaqjes në format të forum teatrit.

“Pastaj do të vazhdohet me 15 repriza për të gjithë të rinjtë e shkollave fillore dhe të mesme të Kaçanikut”, ka shpjeguar ai.

Koliqi ka thënë se “BRICK” përbëhet nga disa komponentë, të cilët në mënyrë direkte do t’i angazhojnë të rinjtë e Kaçanikut në aktivitete të artit, sportit, teknologjisë, inovacionit dhe ndërmarrësisë.

“Programin ‘BRICK’ e konsideroj një infuzion për të rinjtë e Kaçanikut, e respektivisht për të gjithë qytetarët, duke marrë parasysh mungesën e aktiviteteve në këtë komunë. Njëherësh, programi besoj që do të shërbejë si model edhe për komunat e tjera për angazhimin dhe aktivizimin e të rinjve”, ka thënë ai.

Menaxheri i projektit “BRICK”, Labinot Bajrami, ka thënë se CDF e ka krijuar programin me qëllim që të fuqizojë individët dhe komunitetet në Kosovë.

“Qëllimi i Programit ‘BRICK’ është që të rinjve në Kosovë (por edhe kategorive tjera në të ardhmen) t’u ofrohen mundësi për zhvillim pozitiv dhe rrjedhimisht të fuqizojmë individët dhe komunitetet në Kosovë”, ka thënë Bajrami.

Ai ka shtuar se tani për tani Programi “BRICK” shtrihet në Komunën e Kaçanikut dhe më vonë edhe në Ferizaj.

“Megjithatë, CDF si organizate themeluese, implementuese dhe udhëheqëse e partneritetit ‘BRICK’ ka synime që të themelojë dhe zbatojë projekte të ngjashme edhe në komunat tjera të Kosovës. Ideja për Programin ‘BRICK’ është plotësisht në përputhje me vizionin dhe misionin e organizatës CDF, që është zhvillimi i komuniteteve në Kosovë”, ka thënë ai.

Bajrami ka shpjeguar se “CDF” do të organizojë aktivitete të ndryshme me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në komunat e Kaçanikut dhe Ferizajt.

“BRICK” synon që përmes aktiviteteve të ndryshme të ndikojë në zhvillimin pozitiv të të rinjve. “Integra” do të bëjë themelimin e klubeve të teatrit dhe të muzikës me nxënës të shkollave të mesme, “ICK” do të organizojë trajnime për nxënës të shkollave të mesme në Kaçanik me fokus në fushat e TIK-ut (teknologjisë së informacionit dhe komunikimit) dhe në ndërmarrësi. Gjithashtu do të organizohen edhe dy gara rajonale të inovacionit, si dhe një panair rajonal i inovacionit.

Ndërsa “CCPA - Kosova” tashmë ka bërë themelimin e klubeve të futbollit nëpër të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta në Kaçanik dhe ka organizuar turnirin e parë në futboll të shkollave të mesme të ulëta, qershorin që shkoi.

“CCPA – Kosova” do të organizojë edhe dy turne të tillë në nëntor 2018 dhe në qershor 2019. Gjithashtu, në kuadër të Programit “BRICK” do të ketë edhe grante për nxënësit dhe për organizatat e shoqërisë civile në Kaçanik; pastaj do të investohet në së paku 2 fusha të sportit (në oborret e shkollave fillore) duke i pajisur ato me rrethoja mbrojtëse, ndriçim, gola, rrjeta dhe pajisje tjera përcjellëse. Programi “BRICK” do të zgjasë deri në fund të vitit 2019.