Kulturë

“Shkollës Verore si Shkollë 2018” Gusia dhe Rudigeri prezantohen në Stacion

Të martën mbrëma në panelin e “Shkollës Verore si Shkollë 2018”, është prezantuar sociologia Linda Gusia, e cila ka diskutuar për temën “Përfaqësimi dhe kriza e vizibilitetit nga përkushtimi në film”.


Lidhja komplekse ndërmjet heshtjes dhe daljes në sipërfaqe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është analizuar nga sociologia, Linda Gusia, gjatë prezantimit që e pati në "Shkollën Verore si Shkollë 2018".

Gusia para të pranishmëve ka ekzaminuar situatën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, ku rrëfimi i tyre trajtohet në prodhimet e kinematografisë vendase, por ato shuhen në diskursin publik për shkak të çështjeve patriarkale.

Ajo në projeksionin e paneleve ka treguar se si filmat, "Tri dritare dhe një varje" si dhe "Kthimi", shfaqin dukurinë e stigmatizimit të femrave që kanë pësuar gjatë luftës së fundit në vend.


Linda Gusia ka thënë: “Këta dy filma që janë të suksesshëm artistikisht, shfaqin skenarët e njëjtë patriarkalë dhe nacionalistë, të cilët dërgojnë në pyetjet: A kanë nevojë të mbijetuarat të qëndrojnë të heshtura për t'u bërë të dukshme në kinematografi. Tregimet në të dy filmat janë të ngjashme për nga tematika dhe u dedikohen viktimave të luftës. Nëpërmjet këtyre filmave, dua t'iu tregoj pse këto gra e kanë të vështirë të flasin dhe rrinë të heshtura për atë që iu ka ndodhur”.

Pjesa e dytë e panelit të "Shkollës Verore si Shkollë 2018", ka sjellë informacione mbi veprat e Bernard Rudgerit (Bernhard Rudger), të cilat përmbajnë skulptura, modele monumentale, pjesë të arkitekturës dhe historisë.

Rudgeri në fund të prezantimit tregoi se si veprat e tij sjellin përjetim fizik dhe transmetojnë zë te vizitori.

“Shkolla Verore si Shkollë 2018”, do të vazhdojë me panele të diskutimeve, deri më 2 gusht të këtij viti.