Kulturë

“Man Booker” për herë të parë përfshin roman grafik në listën e të nominuarve

Romani grafik rreth zhdukjes së një gruaje të re dhe trileri për zhdukjen e një nëne kanë depërtuar në listën e gjatë të çmimit “Man Booker”, shkruan The Guardian, transmeton “Koha Ditore”. “Sabrina” e Nick Drnasos, romani i parë grafik i cili u bë pjesë e listës së gjatë të çmimit prestigjioz, eksploron efektin trishtues të lajmeve 24-orëshe pasi që një vajzë zhduket.

Juria e ka zgjedhur atë si garues për çmimin prej 50 mijë funtesh, para titujve të romaneve të shkruar nga fituesit e kaluar - përfshirë Pat Baker, Julian Barnes, Peter Carey dhe Alan Hollinghurst - duke e përshkruar atë si “të tërthortë, delikat dhe minimale” dhe duke thënë se “ndryshon formën e fiksionit”, që nënkupton se ka qenë vetëm çështje kohe kur një roman grafik arrin të depërtojë në listë.

“Ne të gjithë e kemi lexuar dhe na ka rrëmbyer”, ka thënë pjesëtari i jurisë dhe romancieri bestseller i zhanrit të krimit Val McDermid.

“Romani grafik gjithnjë e më shumë është bërë qendër në aspektin e rrëfimit të tregimit dhe e kemi ndierë se ky bën pikërisht atë që duhet bëjë një fiksion i mirë”, ka thënë ai.

Po ashtu, në garën për çmimin më prestigjioz të letërsisë në Britani të Madhe, është trileri nga shkrimtarja e zhanrit të romaneve kriminale Belinda Bauer.

“Snap” nis me rrëfimin e një nëne, e cila braktis tre fëmijët e saj në një veturë të prishur dhe më pas sjell vështirësitë e përballjes së tyre me zhdukjen e saj. Juria e ka cilësuar të “mprehtë, me stil, roman inteligjent për mënyrën sesi i mbijetojmë traumës, i cili minimizon përdorimin figurativ të zhanrit dhe e lë lexuesin me diçka që vazhdon”.

“E kam lexuar edhe pa e ditur se do të jem pjesë e jurisë së ‘Man Booker’ dhe për mua ka qenë një roman i jashtëzakonshëm”, ka thënë McDermid. “Edhe pjesëtarët e tjerë të jurisë e kanë lexuar dhe një prej tyre tha: ‘ky e tejkalon zhanrin’. E dikush tjetër tha: ‘romani pasqyron sesi ky zhanër e tregon më të mirën e vet’. Është një vepër tejet e mençur e rrëfimit mes personazheve që të bëjnë për vete dhe kjo është ajo që kemi kërkuar – diçka që është e shkruar mirë, e cila t’i rrëmben mendjen dhe zemrën”, ka thënë ai.

Lista e gjatë e cila cilësohet për “dëshirën për të marrë rreziqe”, sipas kryetarit të jurisë Kwame Anthony Appiah, po ashtu sjell edhe debutime nga Sophie Mackintosh dhe Guy Gunaratne. “The Water Cure” e Mackintosh, sipas jurisë, “e zhbën patriarkatin në thelb”, derisa “In Our Mad” e Gunaratne and Furious City”, është “roman i një qyteti të brendshëm të kohëve tona”.

Poeti Robin Robertson gërsheton vargjet dhe prozën në romanin e parë, “The Long Take”, derisa romani i parë i Daisy Johnson “Everything Under”, është i mjaftueshëm për ta vendosur 27-vjeçaren përkrah Sally Rooney, e përzgjedhur me romanin “Normal People”, si autoret më të reja në listën e këtij viti.

Johnson dhe Rooney po “shikojnë botën prej një perspektive të moshës së tyre dhe librat e tyre kanë shije të ndryshme”, ka thënë McDermid.

“Por ato janë aty, sepse na kanë mahnitur”, ka shtuar ai.

Vetëm një fitues i kaluar këtë vit ka hyrë në listën e gjatë të “Man Booker”: Michael Ondaatje me “Warlight”, i cili nis në Londrën e vitit 1945, ende duke u rimëkëmbur nga sulmet e rrufeshme. Një tjetër emër i madh në këtë listë është romancieri Richard Powers, fitues i çmimit “Pulitzer”, i përzgjedhur me veprën “The Overstory”. Me shkrimtarë amerikanë, të cilët morën “Man Booker” dy vjetët e fundit, pasi që kjo garë hapi dyert edhe për autorë jashtë Britanisë së Madhe dhe Commonwealthi – një vendim që Julian Barnes e përshkruan si “të paarsyeshëm” – skeptikët do të gëzohen me faktin se vetëm tre shkrimtarë amerikanë këtë vit janë pjesë e listës: Powers, Drnaso dhe Rachel Kushner.

Fituesi i çmimit “Gurdian First Book Award”, Donal Ryan, është pjesë e listës me storien për refugjatët sirianë, për një punëtor të kujdesit dhe kontabilist, në romanin me titull “From a Low and Quiet Sea”. “Washington Black” i Esi Edugyan, historia e një skllavi, i cili bëhet shërbëtor personal i një shkencëtari ekcentrik, dhe “Milkman” i Anna Burns, një vrojtim mbi Irlandën gjatë trazirave nëpërmjet perspektivës së një vajze të re, do të garojnë në listën e gjatë prej 13 autorësh nga 171 sa kishin aplikuar – numri më i madh i librave garues deri më tani për këtë çmim.

“Ne jemi munduar të lexojmë verbërisht aq sa kemi mundur”, ka thënë McDermid.

“Nuk jemi brengosur se nga vijnë shkrimtarët apo nëse ka qenë libri i tyre i parë apo i 40-i. Unë lexoj në ‘iPad’ kështu që me të vërtetë po lexoja verbërisht pa biografi të autorit, por me informacione të botuesit”, ka shtuar ai.

Appiah ka thënë se bashkë me pjesëtarët e tjerë të jurisë kanë qenë të goditur nga mënyra se si romanet në listën e gjerë “përçajnë mënyrën sesi i kemi menduar gjërat që i kemi ditur, dhe na kanë bërë të mendojmë për gjërat që nuk i kemi ditur”.

Appiah në panel është i shoqëruar nga McDermid, kritiku Leo Robson, akademikja feministe Jacqueline Rose dhe artistja e shkrimtarja e romaneve grafike, Leanne Shapton. Lista e ngushtë për “Man Booker” do të publikohet me datën 20 të muajit shtator, ndërsa fituesi do të shpallet më 16 tetor.