Kulturë

Trashëgimia betonike e së shkuarës brutale të Jugosllavisë

Më 1 janar 1967, Jugosllavia përqafoi botën. Që prej kësaj date e tutje, vizitorët e huaj mund të hynin pa viza në shtetin e pakonsoliduar socialist.

Teksa kompanitë turistike, sidomos ato në Britaninë e Madhe, nxitonin t’u gjenin akomodime me mijëra pushuesve të interesuar të përfitojnë nga plazhet e Adriatikut të rrahura nga rrezet e diellit, aviokompanitë si “Jat Airways” nuk mund t’u bënin ballë kërkesave.

Ajo që doli të ishte e mahnitshme qe gama e gjerë dhe ambicia arkitekturale e komplekseve të reja hoteliere të vendit, të cilat ishin shpesh të çala krahasuar me qytetet dhe vendet fqinje.

Në mesin e më të famshmeve mes tyre ishte hoteli “Haludovo Palace” në ishullin e Adriatikut, Kërk, që në fakt ishte një lodër për investuesin e parë të sajin Bob Guccione, botuesi i revistës me seli në Brooklyn “Penthouse”.

I hapur më 1972 dhe me pijet aty që shërbehen nga “lepurushet” pothuajse të zhveshura, hoteli ishte i kushtueshëm, hegjemonist dhe, madje për kohën, skajshmërisht seksist, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”. Kishte arkitekturë të gjerë, energjike – punim i Boris Magash – i cili i ngjasonte shumë James Bondit të vërtetë. Dhe ky ishte një shtet socialist.

“Haludovo” falimentoi vetëm një vit pasi që u hap. Duke përfunduar në duar dukshëm më të shtrënguara sesa të Gucciones, hoteli u hap përsëri, por kësaj radhe nën kontrollin nominal të shtetit për të përfunduar i goditur rëndë nga mizoria e luftërave jugosllave që shpërthyen në vitin 1991. Hoteli shërbeu si një kamp refugjatësh përpara se të shitej më 1995, gjatë valës gjithëpërfshirëse të privatizimit në Kroaci, dhe të mbyllej përfundimisht gjashtë vjet më vonë.

Që atëherë, ky hotel është lënë i boshatisur, duke e shndërruar arkitekturën e saj dikur të mahnitshme në një lloj gërmadhe, të cilën gjeografët dhe fotografët urbanë e shohin si tejet tundues.

Monumente të kalbura

Përreth asaj që dikur kishte qenë Jugosllavi, monumente të tjera që shpërfaqin vlera dukshëm kontradiktore me konfederatën jetëshkurtër socialiste të Titos kanë përjetuar të njëjtin fat. Salla ambicioze prej betoni dhe memoriali i partizanëve komunistë, të cilët i dëbuan fuqitë e së keqes nga Jugosllavia në vitet 1943-45, janë rrënuar shkaku i luftës dhe kanë humbur rëndësi me shpërbërjen e Jugosllavisë.

Në majën me pyje të dendura dhe malet e pjerrëta të Parkut Kombëtar “Sutjeska”, në kufirin e sotëm ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, qëndrojnë të ngritura një palë skulpturash abstrakte prej betoni. Të formësuara nga artisti Miodrag Zhivkoviq dhe ndërtuar në një zonë arkitekturale në fillim të viteve ‘70, skulptura përbën esencën e një monumenti kushtuar Betejës së Sutjeskës. Ishte ky vendi ku Titoja u kthye kundër Gjermanisë naziste.

Secilin vit, me qindra mijëra jugosllavë mblidheshin për t’iu kushtuar nderime mbi 7.00 partizanëve të vrarë në këtë mjedis me rëndësi shpirtërore. Por sot, skulpturat që dikur shkëlqenin nga bardhësia e betonit qëndrojnë të vetmuara. Të mbuluara nga pisllëku.

Grafitet i kanë mbuluar kujtimet e së shkuarës së largët, ndonëse jo plotësisht. Rrëshqitjet e dheut që ndodhën aty gjatë këtij viti e dëmtuan edhe më shumë strukturën, derisa salla memoriale nën krahët e skulpturës së Zhivkoviqit është dëmtuar dhe vandalizuar.

E dizajnuar nga arkitekti Ranko Radoviq dhe e hapur më 1975, Shtëpia Përkujtimore – e përbërë nga një strukturë që i ngjason piramidës, shoqëruar me kasollet e barinjve që ende ndodhen në këtë rajon malor –është një ndërtesë që nuk ka shoq. Brenda saj, megjithatë, hapësirat në formë kubi të ndriçuara nga dielli janë të boshatisura, të shkatërruara dhe të plaçkitura nga pjesëtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë viteve 1992 dhe 1995. Afresket që i përshkruanin ngjarjet e rëndësishme nga luftërat partizane për çlirim janë dëmtuar nga grafitet e harlisura.

Aty ku Titoja dikur ofronte liri, sot çdo vizitor duhet të ketë shumë kujdes ku hedh hapin. Shtegu përreth tij është minuar gjatë luftërave të viteve ‘90. Dhe çdo verë, paqja e Luginës së Heronjve (dhe jeta e qetë e ujqve, drerëve dhe shqiponjave) sfidohet nga një festival lokal i rokut. Në mesin e performuesve të festivalit të sivjetmë janë grupet “Atheist Rap”, “Orthodox Celts” dhe “Električni Orgazam”.

Image

Trashëgimi betoni

Lulëzimi i jashtëzakonshëm dhe kreativ i Jugosllavisë në botën e arkitekturave të reja dhe të guximshme prej betoni – qoftë në memorialët kombëtarë, qendrat qytetarë, muzetë, stacionet transmetuese, komplekset e vendbanimeve publike të stilit Le Corbusier apo hotelet e mëdha – ishte jetëshkurtër. Duke nisur prej këtij viti, periudha është reflektuar në ekspozitën “Drejt utopisë prej betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-80” në Muzeun e Artit Modern në New York (MoMA).

Kjo duket si një goxha ngjarje. Jugosllavia e Titos, ndonëse në thelb autoritare, ishte një përpjekje për ta gjetur “rrugën e tretë” në mes të ngushtësisë sovjetike dhe ndjesisë joshëse të lirisë që reflektonte Amerika e pasluftës. Dhe MoMA kishte organizuar më herët dy ekspozita në ish-kryeqytetin jugosllav, Beograd, duke i shpërfaqur më të rejat e arkitekturës amerikane: “Arti modern në Shtetet e Bashkuara” më 1956 dhe “Ndërtuar në SHBA” më 1958.

Në panairin botëror të 1985-s në Bruksel (apo Expo 58), Pavijoni jugosllav, i shkëputur dukshëm prej ndikimit të bllokut sovjetik, ishte një strukturë e bukur, e drita – e përbërë prej mureve nga xhami, hyrja e gjerë dhe shkallët elegante. Dizajnuar nga Vjenceslav Richter, struktura ishte një kundërpërgjigje e menduar mirë dhe e shkëlqyer kundër shkollës së social-realizmit të Bashkimit Sovjetik, pra e një arkitekture të trashëguar nga “parajsa punëtore” vrastare e Stalinit.

Arkitektura e re jugosllave, e realizuar kryesisht me kosto të ulët dhe me lakesa prej betoni, përbën një mënyrë të guximshme të shprehjes së dallimit të vendit – dhe dallimit ndërmjet kulturës së republikave të saj përbërëse – me anë të energjisë, imagjinatës dhe stilit.

A do të vazhdojnë t’i vlerësojnë cilësitë e këtyre arkitekturave republikat e shkëputura që ende i strehojnë këto vepra? A do të rihapet “Haludovo Palace Hotel”?

Vetëm koha dhe mahnitja e kohëve të fundit me këto ndërtesa prej betoni mund ta thonë një gjë të tillë.