Kulturë

“Gjuhët e huaja” sinkronizon multilingualizmin me lëvizje

Descriptive Text

Të veshur në të zeza, gjashtëshja nis lëvizjet e çrregullta. Të rrethuar nga publike në oborrin e Muzeut të Kosovës, përformuesit nisin të futen në një tjetër botë. Atë të harmonizimit të të folurit me gjuhën e trupit.

Gjuhë të ndryshme shërbejnë si një lloj muzike për koreografinë. Zyrat që dalin nga altoparlantët shtojnë kureshtjen e publikut për të marrë vesh se çfarë po ndodh. Ata plotësohen me lëvizje, shkruan sot Koha Ditore.

Varësisht nga ritmi i zërit që herë vjen i plotë e herë më ndërprerje, lëvizjen e lërformuesve ndërrojnë dimension. Kur ashpërsia nis të çojë krye, kjo vërehet edhe nga hapat që hedhen në oborr e shkallë të Muzeut të Kosovës, duke e shndërruar këtë hapësirë në një skenë të artit bashkëkohorë.

Vëmendja e publikut nuk humbet asnjëherë. Ajo rritet edhe më kur pjesë e lojës bëhen edhe zërat në gjuhën shqipe nga fjalitë që dallohen që janë të Dardan Islamit e Shpëtim Selmanit. Altoparlantët e vogël të cilët valltarët i mbajnë në duar, bëjnë që të krijohet ndjesi sikurse po flasin ata vetë. E të qenit e tyre afër publikut, rrit interaktivitetin midis audiencës dhe artistëve.

Përformanca “Gjuhët e huaja” (Foreign tongues) me koreografi të Chris Haring, vendos aktin e të folurit në qendër të koreografisë në ambient urban, duke reflektuar polifoninë dhe multilingualizmin e tij. Me sistem zërimi fleksibil, performuesit ndërthurin kolonën zanore të qytetit me timbret e hapësirave gjuhësore, qoftë të ambientit përreth apo ambienteve të largëta. Sipas konceptit koreografik, duke u interpretuar përmes vallëzimit, incizimet zanore nga rajone të ndryshme në Evropë bëhen të lexueshme si një partiturë në ambient të hapur. “Zërat e qytetit shndërrohen në një simfoni të fjalës së folur. Por cili është zëri specifik i një kuptimi të caktuar? Si duket personifikim i tij trupor? Gjuhët e përdorura në ‘Gjuhët e huaja’ janë, para se të kenë kuptim, zë dhe ritëm, ishuj ambivalent të zërit”, shkruhet në koncept. Dialektet, gjuhët rajonale dhe të folurat lokale transformohen në sekuenca lëvizjesh, të bazuara në dinamikën e tyre, theksin dhe atmosferën akustike. Përformanca e “Liquid Loft” në kuadër të festivalit të artit në hapësira publike “Hapu” përdor përplasjet e gjuhëve dhe kontradiktat komunikuese si mjete të krijimit. Qëllimi i ekipit është të ftojnë publikun të eksplorojë gjuhët që nuk i kuptojmë në fjalë përmes komunikimit trupor, duke zbuluar kështu se sa shumë faktikisht kuptohen ato. (Më gjerësisht, sot në Koha Ditore)