Kulturë

Interpretuesi e ka për mision t’i shërbejë muzikës

Descriptive Text

Prishtinë, 7 prill - Ushtrimet si kryefjalë, kondicioni si i domosdoshëm, korrektësia ndaj partiturave si etikë dhe interpretimi si mision, janë disa prej pikave kryesore për secilin pianist. Pikërisht për secilën për këto, pianistja kosovare me famë botërore, Ardita Statovci, ka folur të enjten. Ligjërata që ajo mbajti në sallën e Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve i paraprin hapjes zyrtare të “Chopin Piano Fest”. Edicioni i 8-të nis të hënën.

Statovci para publikut prezantoi punën që duhet bërë secili pianist nëse dëshiron të ketë sukses. Duke qenë se ajo tashmë është ngjitur nëpër skena të mëdha botërore, përvoja e saj erdhi si rrëfim drejt suksesit.

“Ekziston një rregull i artë i cili thotë se interpretimi është në shërbim të muzikës dhe jo anasjelltas”, ka thënë Statovci, e cila vitin e kaluar vulosi nivelin e saj botëror me koncertet që mbajti në Indi, përderisa në Austri, ku jeton, ka kohë që e ka dëshmuar veten. Ka interpretuar edhe në Pallatin Mbretëror në Stokholm të Suedisë. Ishte vetëm 15-vjeçare kur u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë. Menjëherë u pranua në universitetin me renome botërore “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë, ku diplomoi në vitin 2004. Më 2007 mori titullin master në klasën koncertale të Christoph Lieskes. Më 2009 studioi me legjendarin Menahem Pressler në Inidiane University në Bloomington në ShBA. Në Itali ajo kompletoi studimet universitare në Imola Accademia Pianistica me Boris Petrushanskyn dhe Franco Scalan. Ka performuar në shumë vende në Evropë, ShBA e Azi (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.