Ekspozitë e rrallë hartash të vjetra në Tiranë, nga koleksionisti kosovar

Ekspozitë e rrallë hartash të vjetra në Tiranë, nga koleksionisti kosovar

17 korrik 2018 09:59

Një ekspozitë me harta që datojnë nga shek XV deri në shek XVIII është hapur në COD, nga koleksionisti i Kosovës, Afrim Ethemit, me titull “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse”.

Në sallën “Tako Artistin”, gjenden 36 harta si dhe 5 atlase, raporton ATSH. Hartat datojnë që nga vitet 1500 e më pas dhe paraqesin kryesisht harta të Europës, Europës Juglindore e sidomos Ballkanit, gjë që i jep kësaj ekspozite dhe koleksioni një karakter të posaçëm.

Hartat, si një formë e komunikimit vizual, janë sa një disiplinë akademike aq edhe art. Vizitorët do të kenë mundësinë të shikojnë lëvizjet e shpeshta të kufijve, perceptimet nga këndvështrime të ndryshme historike dhe detajet gjeografike e topografike të pasqyruara në to.

Ekspozita “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse” me koleksionin e hartave të vjetra të Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës dhe ndryshimeve gjeografike. Afrim Ethemi ka realizuar disa ekspozita personale të pikturave, grafikave dhe vizatimeve.

Përveç koleksionit të hartave të vjetra, i posedon edhe disa koleksione të tjera antike. Koleksioni i hartave të vjetra, është ekspozuar në Muzeun Kombëtar, në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare në Shkup. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator 2018.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme