Kulturë

Punëtoria e mumifikimit zbulon sekrete të reja në Egjipt

Thellë nën rërën e varrezës së Saqqarasit arkeologët kanë bërë një zbulim unik i cili, sipas tyre, shpalos sekretet e mumieve të Egjiptit antik, thuhet në shkrimin e The Guardian, që sot e transmeton “Koha Ditore”.

Një punëtori e mumifikimit dhe një varrezë në dhomën afër saj, e po ashtu pesë mumie, florinjtë e tyre sarkofagë, figurina dhe argjend i praruar e maskë mumie, janë zbuluar në lokacionin i cili, sipas arkeologëve, sjell pasuri dhe dije rreth procesit të mumifikimit.

“Ne po qëndrojmë pranë një miniere ari të informacioneve”, ka thënë Ramadan Badry Hussein, drejtor i “Saqqara Saite Tombs Project”, i cili mbikëqyr gërmimin. Hussein i transmetoi informatat teksa qëndroi para një grupi të gazetarëve dhe diplomatëve që ishin mbledhur para lokacionit, nën hijen e piramidës së Dojserit.

“Ky zbulim është po aq i rëndësishëm sa edhe i gjerë. Ne kemi vajra dhe gota – të gjitha prej tyre janë etiketuar. Nga kjo mund të zbulojmë përmbajtjen kimike të vajrave dhe të zbulojmë se çfarë janë”, ka thënë ai.

Punëtoria e balsamimit dhe dhomës afër saj 30 metrash, që datojnë prej periudhës persiane (vitet 664-404 para Krishtit), po ashtu sjellin informacione rreth statutit të ish-banorëve antikë.

“Ka dallime të qarta socio-ekonomike në mes të mumieve në bosht”, ka thënë Hussein.

“Ne shohim se mumifikimi ka ndodhur mbi tokë, derisa disa prej tyre ishin varrosur në dhoma private ose të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Ky zbulim është ndihmesë për studiuesit e Egjiptit antik dhe arkeologët, të cilët besojnë se punëtoria dhe mumiet e zbuluara në boshtin e varrezës do të sjellin informacione të reja se si egjiptianët antikë i kanë varrosur të vdekurit e tyre. Gjetjet kanë ardhur në kohën kur Egjipti po përgatitet ta hapë një muze për të ekspozuar më mirë pasurinë arkeologjike, pasi që numri i vizitorëve ngadalë shënoi rënie pas revolucionit të vitit 2011.

Lokacioni arkeologjik ku u mbajt punëtoria e balsamimit ishte gërmuar në fund të shekullit XIX, por një projekt i përbashkët mes një ekipi egjiptian dhe gjerman vendosi që të gërmohet përsëri në vitin 2016.

“Egjipti ka nevojë për rundin e dytë të gërmimeve, duke u fokusuar në lokacione të vjetra të eksploruara në fillim të shekullit XX”, u ka thënë Hussein të pranishmëve.

“Ne mund të shfrytëzojmë teknikë të re të gërmimit dhe dokumentimit, dhe një gjë e tillë mund të jetë e frytshme çdoherë. Ne gjejmë gjëra të reja që kanë mbetur prapa”, ka shtuar ai.

Gërmime të tjera do të vazhdojnë me qëllim që të hapen disa dhoma pranë punëtorisë së balsamimit, si dhe për hapjen e katër nga pesë sarkofagëve.

“Ky është vetëm fillimi”, ka thënë Mostafa Waziry, kryesuesi i Këshillit Suprem të Antikitetit në Egjipt.

“Është hapësirë shumë e pasur. Jam i sigurt se do të gjejmë më shumë”, ka shtuar ai.

Zbulimi po ashtu vjen në kohën kur Egjipti po shpreson se me mënyra të tjera të ekspozimit të pasurisë arkeologjike do të tërheqë më shumë vizitorë, në veçanti me “Grand Egyptian Museum”, që pritet të hapet në kompleksin e famshëm të piramidës së Gizës në vitin 2019.

“Egjipti asnjëherë nuk pushon së befasuari botën me zbulimet e reja të historisë së vet antike”, ka thënë Tarek Tawfiq, drejtor i muzeut të ri.

“Ne po ashtu do ta befasojmë botën me mënyrën se si do t’i ekspozojmë këto zbulime”, ka thënë ai.

Diku rreth 8.3 milionë turistë e kanë vizituar shtetin më të populluar në botën arabe në vitin 2017, një rritje e madhe kjo nga vitet paraprake pas revolucionit të vitit 2011 dhe grusht shtetit ushtarak në vitin 2013, si dhe rrëzimit të aeroplanit “Metrojet KGL9268” në Sinai, ku vdiqën 224 pasagjerë.

Por, me gjithë gjetjet e reja dhe qëllimet për të tërhequr më shumë turistë me muze, Egjipti mbetet i kërcënuar nga hetimet në vazhdim për incidentet që larguan turistët. Javën e kaluar, zyrtarët egjiptianë u përplasën për një deklaratë të lëshuar nga zyra e aviacionit “BEA” në Francë, i cili solli kritika të rralla publike për kokëfortësinë egjiptiane lidhur me hetimin për rrëzimin e “EgyptAir MS804” nga Parisi, ku vdiqën 66 veta që ishin në bord. Zyrtarët francezë kanë thënë se ajo që ka mundur të shkaktonte përplasjen ishte zjarri në kabinë. Në një ndarje të pazakontë publike prokurorët kryesorë egjiptianë thonë se hulumtuesit francezë janë të “pabazë”. Zyrtarët egjiptianë vazhdojnë të thonë se terroristët janë përgjegjës për përplasjen e aeroplanit.