Kulturë

Ekspozita në MoMA hap kapitull të ri edhe për Bibliotekën Kombëtare

Prishtinë, 13 korrik –Një ekspozitë me më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe pamje arkivore të marra nga koleksionues të ndryshëm dhe muze në tërë rajonin paraqet veprat e arkitektëve të shtrira në ish-Jugosllavi. Në këtë mes hyjnë projekte të Bogdan Bogdanoviqit, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radeviq, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter, Milica Shteriq, e të tjerë.

E titulluar “Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948-1980”, kjo ekspozitë është hapur për një grup të caktuar të njerëzve të martën, pesë ditë para se ajo të hapet për vizitorë në Museum of Modern Art (MoMA) në New York.

Në tre katet e këtij muzeu publiku do të mundë të shohë projekte të ndryshme arkitektonike e monumente, e në mesin e tyre edhe maketin dhe fotografinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, e dizajnuar nga arkitekti i njohur kroat, Andrija Mutnjakoviq, e përfunduar në vitin 1974.

Përveç Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, gjenden edhe format skulpturore të Xhamisë së Bardhë në Bosnjë, plani i rindërtimit pas tërmetit në Shkup projektuar nga arkitekti japonez Kenzo Tange, e po ashtu edhe pjesa e Beogradit të Ri.

Krejt kjo është organizuar nga Martino Stireli, shef kuratorial i arkitekturës në MoMA që në ekspozitë ka rolin e kuratorit dhe Vladimir Kuliq, si kurator ndihmës bashkë me një ekip tjetër të gjerë pas vetes. Pjesë e ekipit kuratorial është edhe arkitekti kosovar Bekim Ramku, i cili të enjten ka prezantuar projektin konservues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, para financuesve në New York dhe “Getty Foundation”, fondacion ky i cili e ka mbështetur projektin e menaxhimit dhe konservues të Bibliotekës.

Ndërsa në katalog të ekspozitës është bashkëngjitur një shkrim i arkitektit Arbër Sadiki dhe një fotografi e Agon Nimanit e realizuar me dron.

Sipas Ramkut, deri më tani ekspozita është pritur shumë mirë nga mysafirët e ftuar (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).