Kulturë

Deri në fund të javës shfaqje filmike e muzikore në Parkun Kulturor të Gjakovës

Iniciativa qytetare me projektin Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, e cila ka nisur këtë vit edicionin e dytë të aktiviteteve kulturore, me synim edukimin dhe inspirimin e komunitetit përmes shfaqjeve filmike, muzikore dhe arteve tjera, ka të planifikuar një vikend mjaft intensiv programatik.

Të përkrahur nga Culture for Change (EU) dhe në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, sot, më 13 korrik, shfaqet për herë të parë në qytetin e origjinës dokumentari “Ferdonija”, me në qendër historinë e nënave të Gjakovës, që tash e shumë vite janë në pritje të marrin vesh për fatin e të afërmit e tyre, të zhdukur në flakët e luftës me Serbinë.

Të nesërmen, me 14 korrik, duo e përbërë nga Shpat Deda dhe Armend Xhaferi performojnë në po të njëjtin vend, me kantautorin dhe kitaristin që premtojnë një natë magjike muzikore.

Java mbyllet me shfaqjen e filmit “The Divine Order”, të dielën, më 15 korrik, në bashkëpunim me Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Një komedi dramatike që trajton të drejtat e grave në Zvicër në vitet e 70’. Të gjitha këto ngjarje fillojnë prej orës 21:00.

“Jemi shumë të lumtur që Parku Kulturor po kthehet në një traditë për qytetin e Gjakovës dhe adhuruesit e filmit dhe kulturës, të cilët edhe këtë vit po na ndjekin në numra impresionues. Pas më shumë se 30 ngjarjeve të organizuara vitin e kaluar, edhe këtë vit kemi nisur me shumë dinamizëm nga muaji qershor”, thotë Arbër Lleshi, njëri nga organizatorët. “Këto nuk do të jenë aktivitetet e vetme, pasi planifikojmë të kemi shumë tjera deri në fund të shtatorit, me shpresën që shpejt përpjekjet tona do të jetësohen, që të kemi një qendër të mbyllur e cila do të funksionojë tërë vitin .”

Ky projekt organizohet nga OJQ “DU ART”, i përkrahur nga Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Dokufest. Për më shumë informata kërkoni “Parku Kulturor” në rrjetet sociale.