Kulturë

Shpëtimi i skulpturave të Çavdarbashës në dorë të ekspertëve vendorë

Prishtinë, 12 korrik − Kërkesës së shtruar qysh më 2013 për të shpëtuar veprat e skulptorit Agim Çavdarbasha – skulpturat që kaherë kanë nisur të shkatërrohen në oborrin e galerisë-muze në Çagllavicë – Ministria e Kulturës do t’i përgjigjet duke angazhuar ekspertë të institucioneve të veta.

Ky institucion ka paralajmëruar që më së largu në fund të korrikut dy restaurues të Muzeut të Kosovës do të nisin punën për konservimin e skulpturave prej mermeri e druri, që ndodhen në galerinë e skulptorit të ndjerë. Ato prej druri janë dëmtuar nga një lloj insekti. Ka vite që është paralajmëruar se nëse nuk merren masa ka gjasë që ato të humbasin përgjithmonë.

Për të parën herë pas rihapjes së galerisë-muze para pesë vjetësh, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sivjet ka ndarë buxhet prej 50 mijë eurosh. Këto mjete janë dedikuar për projektpropozimin për kompleksin galeri e hapur-muze të skulptorit akademik Agim Çavdarbasha. Projektpropozimi, i hedhur në letër qysh në mars të vitit 2016, nuk do të mundë të finalizohet i tëri, për shkak se buxheti i kërkuar është rreth 95 mijë euro. Restaurimi i veprave artistike të Çavdarbashës, si dhe mirëmbajtja e tyre janë përfshirë në fazën e parë, derisa pjesë e projektpropozimit është edhe zhvillimi i aktiviteteve kulturore në kuadër të kompleksit që ndodhet në Çagllavicë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).