“Qyteti i pjerrët” i zhytur në histori rrëshqet drejt rrënimit

“Qyteti i pjerrët” i zhytur në histori rrëshqet drejt rrënimit

12 korrik 2018 15:01

Gjirokastër, 12 korrik − Vendbanimi i Lolomanëve, ish-shtëpi e një familjeje me këtë emër në kohën e osmanëve, dikur ishte lokacion madhështor në anën malore të qytetit të Gjirokastrës në jug të Shqipërisë. Tani shtëpia ka mbetur rrënojë, sikur shumë të tjera në “Qytetin e gurtë”, i definuar nga kështjella e tij, rrugët e shtruara me kalldrëm dhe strukturat gëlqerore me ngjyrë të argjendtë me pamje nga lugina e Drinit afër kufirit me Greqinë.

Shumica e objekteve të vjetra me shekuj, të cilat i siguruan qytetit një vend në listën prestigjioze të UNESCO-s në vitin 2005, janë atraksion turistik, por rrezikojnë të zhduken, thuhet në shkrimin e AFP-së, të cilin sot e transmeton “Koha Ditore”.

Disa prej tyre janë të braktisura ose nuk janë mirëmbajtur me vite, të tjera kaluan nëpër ndryshime që ua kanë humbur vlerat historike, apo kanë shumë pronarë që duhet të pajtohen për ndërhyrjet e nevojshme, apo edhe të tjerë që s’kanë mundësi t’i shpëtojnë. E as autoritetet e shtetit ballkanik nuk i kanë mjetet për t’i restauruar.

“Ndiej dhimbje për secilin gur, secilin mur që po dëmtohet”, ka thënë Email Nacaj, një bojaxhi 58-vjeçar, i cili ka rikujtuar kolapsimin e shtëpisë Lolomani në dimrin e vitit 2016. Nën të, kulmi i shtëpisë së tij është gjysmë i rinuar.

“Jam i frikësuar këtu, por nëna ime nuk do që të largohemi”, ka thënë ai.

Edhe nëse do t’i kishte paratë, nuk do të mundë të bënte ndonjë gjë – kushëriri i tij i cili jeton në kryeqytet, Tiranë, dhe është bashkëpronar dhe refuzon të investojë.

Nga 615 monumente në qendrën historike të qytetit “më shumë se gjysma u nënshtrohen ndërtimeve ilegale ose jashtë kontekstit, derisa 169 janë në gjendje kritike ose rrezikojnë të shemben”, ka paralajmëruar këtë vit “Europo Nostra”, Federata evropiane e organizatave joqeveritare të trashëgimisë kulturore.

Shumica e objekteve datojnë qysh në shekujt XVII dhe XVIII, megjithëse origjina e qytetit daton shumë më herët dhe muret e tij janë ndërtuar në shekullin III.

Shkrimtari më i famshëm shqiptar Ismail Kadare shkëlqyeshëm e përshkroi Gjirokastrën si “qytet i pjerrët, i vendosur në kënd më të mprehtë se secili qytet tjetër në rruzullin tokësor”.

“Sigurisht se ka qenë i vetmi vend në botë ku, nëse ke rrëshqitur dhe je rrëzuar në rrugë, mund të biesh në kulmin e ndonjë shtëpie”, shkroi ai në romanin “Kronikë në gur”.

Emigrimi masiv ka definuar fatin e objekteve, pasi që Gjirokastra nuk ka qenë imune ndaj këtij trendi të Shqipërisë. Sipas Engjëll Serianit, kreu i turizmit në Bashkinë e Gjirokastrës, popullsia e këtij qyteti ka rënë nga 34 mijë në vitin 2011 në më pak se 25 mijë. Shtëpitë kanë marrë emrat e familjeve të moçme e të shquara në kohën e Perandorisë Osmane, që dikur ishin pronare të tyre si Lolomani, Karaulli, Fico, Zeko, Babameto. Fuqia e tyre matej me numrin e oxhaqeve.

Sot, Sokol Karaulli, pasardhës i një prej këtyre familjeve fisnike, thotë se jeta e tij është larg nga salltanetet e pesë oxhaqeve të shtëpisë së tij. Ish-ushtar, por ende pa të drejtë për pension, ai thotë se mbijetojnë vetëm falë rrogës së gruas së tij e i cila punon si kuzhiniere.

“Dita kur do të themi ‘dikur na ishte Gjirokastra’ mund të vijë”, ka paralajmëruar 60-vjeçari. Karaulli ka ndërprerë rrymën elektrike në katin e parë dhe ka vendosur kova të plastikës sherri i ujit nga shiu i që tashmë ka kalbur kornizën e drunjtë të shtëpisë së tij të shkatërruar.

Rreth pazarit të qytetit, fasadat e pastra janë duke u restauruar me një buxhet prej tre milionë eurosh, të ndara nga një asociacion shqiptaro-amerikan dhe Banka Botërore. Në lokale të vogla shiten suvenire për turistët, 77 mijë prej të cilëve e vizituan kalanë vitin e kaluar. Numrat e tyre rriten prej 10 deri në 15 për qind për një vit.

“Gjirokastra nuk është vetëm ai Pazari dhe ato vendet emblematike”, ka thënë arkitektja Lejla Haxhiq, nga organizata “Cultural Heritage without Borders” (CHwB).

“Situata po përkeqësohet dita-ditës”, i ka thënë ajo “AFP”-së. Në vitin 2014 kjo organizatë paralajmëroi për “dekonstruktim të shpejtë” të pjesës historike të qytetit, ku u rrit ish-diktatori komunist shqiptar, Enver Hoxha.

Nga 650 objekte sa i hulumtoi, “CHwB” ka thënë se 40 prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë, 34 janë në rrënoja derisa 15 në prag të shkatërrimit. Tani numri i atyre në rrënoja është rritur në 47.

Sot rreth 80 shtëpi janë të pabanuara, duke e rritur mundësinë që kulmet të cilat s’e mbajnë ujin do të ndikojnë në strukturën e drunjtë.

“Çdo ditë shoh diçka që është keq, sikur objekti më pëshpërit të bëj diçka”, ka thënë nënkryetari i Gjirokastrës, Vangjel Muço. Por me buxhetin në total prej 2.5 deri në 3 milionë eurosh, Komuna e tij nuk mund të merret siç duhet me këtë çështje.

Ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro, insiston se qyteti “nuk është më në rrezik” dhe se Qeveria e ka nën kontroll. Që nga viti 2013 ndryshimet strukturore të shtëpive në Gjirokastër janë ndaluar. Ajo po ashtu ka shpresa të mëdha te ligji i ri për fondacionet kulturore, si dhe për turizëm pas konvertimit të rreth 20 shtëpive në bujtina e hotele.

Por CHwB-ja beson se Gjirokastra mund të shpresojë për “jo më shumë se 10 mijë euro” nga buxheti kombëtar. Dhe vetëm rinovimi i shtëpisë Babameto kushtoi 160 mijë euro, para që erdhën nga Suedia.

Sipas Haxhiq, vetëm përforcimi i rrënojave do të marrë një tjetër shumë prej 1.2 milionë eurosh.

“Të gjithë akterët që merren me trashëgiminë kulturore duhet ta marrin shumë seriozisht dhe të intervenojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse është vetëm një Gjirokastër në botë”, ka paralajmëruar ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme