Ministria shkel procedurat, institucioni i trashëgimisë pa drejtor Foto: Koha

Ministria shkel procedurat, institucioni i trashëgimisë pa drejtor

11 korrik 2018 11:07

Ismet Hajrullahu nuk ia kishte dalë që si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës t’i fitonte votat për t’u zgjedhur kryetar i Komunës së Lipjanit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit vitin e kaluar. Kishte marrë vetëm 6.161 vota. Ishte mposhtur nga kundërkandidati i tij, Imri Ahmeti, i cili kishte marrë 17 mijë e 19 vota.

Por ende pa u bërë një vit nga zgjedhjet, Hajrullahu i kishte hyrë një gare tjetër. Kësaj radhe për t’u bërë drejtor i një institucioni nën vartësi të Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Kujtim Gashi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këtë rast, në mesin e 15 kandidatëve, Hajrullahu ia kishte dalë të ishte i pari. Fiks 88 pikë kishte marrë nga Komisioni i MKRS-së i themeluar për t’i vlerësuar kandidatët për drejtor të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Bile, konkursi i hapur për këtë pozitë më 20 prill nuk kishte përfunduar si procedurë deri më 7 qershor, kur MKRS-ja e ka njoftuar se Hajrullahu ishte zgjedhur në këtë pozitë.

Sipas burimeve të gazetës, procedura ishte ngadalësuar sherri i problemeve shëndetësore të kandidatit Ismet Hajrullahu. MKRS-ja priste që Hajrullahu të ishte në gjendje shëndetësore për të marrë pjesë në test me shkrim e intervistë. MKRS-ja në këtë rast kishte mbyllur sytë para procedurave që duhej ndjekur me secilin kandidat, pasi kishte intervistuar Hajrullahun edhe pse diploma e tij nuk është e nostrifikuar në Kosovë.

E pikërisht me këtë arsyetim, MKRS-ja shpeshherë ka diskualifikuar kandidatët për drejtorë institucionesh.

Zeni Ballazhi më 2015 ishte diskualifikuar nga gara për drejtor të Galerisë Kombëtarë të Kosovës, pikërisht me arsyetimin se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar.

Por në rastin e Hajrullahut, me këtë çështje është duke u marrë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Sipas burimeve të gazetës me arsyetimin se është shkelur “parimi i meritës”, ky organ pas monitorimit të procesit do ta shpallë të pavlefshme krejt procedurën... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme