Kulturë

“Muzat e Alpeve 2018” përkujtojnë Basri Çapriqin, Çmimi “Teuta” Nazmi Rrahmanit

Karvani i shkrimtarëve nga rajoni në ditën e dytë të manifestimit“Muzat e Alpeve 2018” me një orë letrare ka përkujtuar poetin dhe studiuesin Basri Çapriqi dhe krijimtarinë që la ai pas vetes.

Manifestimi letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” i Shoqatës Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” realizuar në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Amerikë si dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Shkrimtarëve “Art Club”të Ulqinit, sivjet filloi në Gjakovë, vazhdoi në Ulqin dhe do të përmbyllet në Krujë me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”

Nrekiq: “Ulqini i nderuar të mirëpres “Muzat e Alpeve 2018”

Ndërsa, sipas kryetarit të komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, “Muzat e Alpeve” kanë kapërcyer kufijtë rajonal duke dëshmuar fjalët e shkrimtarit të mirënjohur malazez Jevrem Berkoviq, i cili me rastin e pranimit të Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” pat thënë se” miqësia e popujve fillon nga shkrimtarët dhe se manifestimet si “Muzat e Alpeve”udhëheqin drejt jetës së përbashkët”. Kryetari Nrekiq me këtë rast shtoi të jetë tejet I lumtur ky aktivitet letrar zhvillohet edhe në qytetin e Ulqinit, kultura e të cilit daton qe 2500 vjet dhe vazhdon të nxjerr artistë e shkrimtarë, të cilët me krijimtarinë e tyre zënë vend të rëndësishëm në letërsinë mbarëshqiptare. “Ndër ta padyshim është edhe poeti dhe kritiku I mirënjohur dr. Basri Çapriqi i cili u nda nga jeta por la pas vetes veprimtarinë me të cilën I ka siguruar vetvetes vend nderi në panteonin e kulturës shqiptare. Ndaj, siguroj artdashësit e veçanërisht “Teutën”, i siguroj se gjithmonë në mbështetjen e komunës së Ulqinit”.

Ambasadori Durmishi:””TEUTA” le të llogaris në koordinimin dhe bashkëpunimin tonë”

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi tha se takime dhe komunikime të artit, të kulturës dhe të shkencës na duhen më shumë se çdo gjë tjetër sepse, është mungesa e komunikimit mes njerëzve ajo që prodhon negativitet, mosnjohje, mospranim dhe gjëra të tilla të cilat I mbajnë distancat gjithmonë aktive. “Ne tashmë kemi një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet dy ministrive tona të kulturës dhe brenda saj janë pikërisht aktivitete të tilla bashkëpunimi në këtë fushë. Ndërsa, veprimtaria juaj ndër vite dhe aktiviteti juaj dje në Gjakovë, sot në Ulqin dhe nesër në Krujë është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë drejtim. Prandaj, Ambasada e Kosovës në Mal të Zi do të dëshironte të ketë rolin e vet si dhe të japë kontributin në koordinimin e aktiviteteve të tilla,ndërsa ju mund të llogarisni në bashkëpunimin tonë”-shtoi ambasadori Durmishi në fjalën e tij.

Sikur dje në Gjakovë zv/ministrja e kulturës, rinisë dhe sportit të Republikës së Kosovës, Burbuqe Bakija Deva edhe të shtunën në Uqlin, Albert Kurtulaj, zyrtar I lartë për koordinim të politikave në Ministrinë e Kulturës, Rinsë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, tha: Meqënse aktivitete të këtij niveli ndihmojnë afirmimin e vlerave dhe integrimet kulturore, “Muzat e Alpeve” ka gëzuar mbështetjen e përhershme të ministrisë sonë”. Ndërsa, Ismet Kallaba, kryetar I Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Ulqin-bashkorganizator i manifestimit, ndër të tjera tha se: “Letërsia dhe kultura në përgjithësi I bashkon popujt, nxisin dhe I paraprinë bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me qëllim të njohjes dhe të komunikimit të ndërsjellë. Ndërsa, në këtë kohë nisma të bashkëpunimeve rajonale ne nivele shtetërore si manifestimi letar ndërkufitar “Muzat e Alpeve” I ka paraprirë dhe I shërben më së miri këtij qëllimi”. Kallaba falënderoi edhe kryetarin Nrekiq për mbështetjen e drejtpërdrejtë në realizmin e këtij manifestimi si dhe shoqatën “TEUTA” e cila ka vendosur që një pjesë ë mirë të kësaj manifestimit në Ulqin t’ia kushtojë poetit, studiuesit dhe profesorit të nderuar Basri Qapriqi , I cili si bashkëqytetar yni ka ndikuar që Ulqini të jetë I njohur në mbarë botën shqiptare dhe më gjerë”.

Ndërsa, shkrimtarja dhe gazetarja Ajete Bëqiraj, kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”, shprehu mirënjohjen e veçantë ndaj kryetarit aktual të komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, për mundësinë e ndalimit me aktivitete edhe në Ulqin në të cilin siç tha, nuk iu ishte ofruar mundësi ta bënin përgjatë viteve paraprake në një nivel të tillë dhe se Ulqini ishte prehri i romanit të saj të parë rinor “Ylli i Fatit i pushonte në dorë”.

“S’ke me dal nga paraja…!”

“S ke me dal nga parajsa”, ishte poezia me te cilën prof.dr. Sali Bashota filloi kumtesën kushtuar jetës dhe veprës se shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur ulqinak Basri Çapriqit, i cili iu përkiste gjithë hapësirave mbarëshqiptare dhe la pas vetes një bagazh të pavdekshëm në thesarin e letërsisë mbarëshqiptare, ballkanike e me gjërë ndonëse pa I mbush te 58-tat iku nga kjo botë tokësore për t’u ngritur përgjithmonë në botën e pavdekshme të vlerave letrare të letërsisë shqipe. “Basri Çapriqi ishte poet i mrekullueshëm, eseist briliant, studiues i letërsisë dhe mësimdhënës i veçantë, ndërsa vepra e tij me ese e poezi , e cila është përfshirë në dhjetëra antologji botërore. Vlera e veprës së tij në fushën e studimeve letrare si dhe në atë të poezisë dëshmon se Basri Çapriqi do të mbetet ndër poetët dhe studiuesit me të rëndësishëm të hapësirave mbarëshqiptare”.

Martinoviq: “Çapriqi në radhën e shkrimtarëve që vetdijësojnë popujt”

Ndërsa, shkrimtari I mirënjohur malazez Mirash Martinoviq, laureat i 4 i Çmimit “TEUTA” në hapje të orës letrare kushtuar jetës dhe veprës së Basri Capriqit solli përshëndetjet e akademikut Jevrem Brkoviq. “Berkoviq që nga lindja dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i kësaj ideje ka qëndruar me ne dhe ka qenë gur themeltar i këtyre takimeve e roli i tij dihet kur ishte në pyetje populli shqiptar në ato kohë të errëta. Ndërsa në promovimin e librit Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, të Radovan Zogoviqit, ai tha diçka të mrekullueshme:”Në histori ekzistojnë momente të caktuara në të cilat shkrimtarët e mëdhenj I ndërgjegjësojnë popujt e tyre. Me këtë rast unë mendoj në Zogoviqin, Berkoviqin, Ali Podrimen, në gjithë plejadën e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore, “TEUTA”, përfshirë edhe Basri Çapriqin i cili do duhej të ishte këtu me ne, për të pasuruar manifestimin tonë me madhështinë e tij dhe me veprën moderne dhe evropiane. Letërsia shqipe do të jetë krenare me veprën e tij e cila do të mbetet gjithmonë objekt vëmendjeje”. Xhevdet Capriqi falënderoi organizatorët për përkushtimin ndaj të vëllait, Basri Capriqit, programi për të cilin vazhdoi me lexim poezishë dhe evokime kujtimesh.

Dita e dytë e manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” u përmbyll me mirënjohje për “Art Club”-in dhe për kryetarin e komunës së Ulqinit Loro Nrekic, si dhe me një darkë të përbashkët shtruar nga komuna e Ulqinit. Përderisa, dita e tretë e manifestimit vazhdon në qytetin e Krujës, ku edhe do të ndahet Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta”, shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit.