Kulturë

Virtuoziteti në violinë e talenti në piano sjellin një simfoni suksesi

Prishtinë, 6 prill - Kur talenti, viruoziteti dhe profesionalizmi bëhen bashkë, rezultati është i parashikueshëm. Koncerti i së martës i solli këto të tria në skenë. Talenti u dëshmua përmes perfomancës së mrekullueshme të pianistes 14-vjeçare Dea Bajrami, virtuoziteti doli edhe më në pah nga violinisti Iskandar Widjaja, ndërsa Orkestra e Filarmonisë së Kosovës vulosi profesionalizmin nën dirigjimin e Noorman Widjajas, shkruan sot Koha Ditore.

Edicioni i 12-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” u bë sebep që në programin e vjetor të Filarmonisë të sjellë dy solistët në këtë koncert simfonik. E publiku pati rastin të dëgjojë tri vepra të ndryshme, secila më kërkuese dhe më e veçantë në formën e saj, por mbi të gjitha edhe në interpretim.

Bajrami, e veshur me një fustan bezh, tamam për moshën e saj, e para u ngjit në skenë. Zuri vend para pianos për të interpretuar “Koncertin për piano dhe orkestër në a-mol, op.16” të Edvard Griegut. Është një prej veprave të tij më të njohura e më të popullarizuara në koncerte pianistike. Përbëhet nga tri kohë, por Bajrami interpretoi vetëm të parën, e cila ka fillim dramatik që më pas prezanton temën kryesore të veprës. Shpaloset tema e dytë, e cila përsëritet dhe përmbyllet me kadencë virtuoze dhe lule të ngjashme si në fillim. Kjo vepër është interpretuar edhe më parë në Kosovë nga pianistë të tjerë, por atë që Bajrami arriti të bëjë në interpretimin e saj nuk është diçka që mësohet, dhe s’bëhet fjalë veç për aspektin teknik, por “situatën” e ka në dorë talenti. Bajrami këtë e dëshmoi me interpretimin e mrekullueshëm.

Që në notat e para e mori publikun me vete. Nuk kishte rëndësi më fakti se ajo është vetëm 14-vjeçare. Bajrami padyshim është një prej talenteve të reja, e ardhmja e së cilës duket të jetë e ndritur. Këtë e dëshmuan edhe duartrokitjet e shumta që ajo mori pas paraqitjes së parë me Filarmoninë, dhe kjo mundësi iu dha pasi triumfoi në garën “Pianisti i ri 2016”. Performanca e saj qe një intro e bukur për një koncert impresionues, në atë që njihet si Atelieu i Pallatit të Rinisë, përballë Sallës së Kuqe ku zakonisht mbahen koncerte të tilla. Dea Bajrami ia la vendin solistit të dytë të mbrëmjes, yllit të muzikës, Iskandar Widjaja, i vlerësuar gjithandej botës e që bashkëpunon me muzikantët më të mirë të muzikës klasike si Zubin Mehta, Christoph Eschenbach, Rolando Villazon dhe Fazil Say.

Violinisti indonezian, i cili jeton në Gjermani u ngjit në skenë për të interpretuar “Simfoninë spanjolle në d-mol op.21” të Edouard Lalos. Edhe pse quhet “Simfoni spanjolle”, kjo vepër konsiderohet nga muzikantët si koncert për violinë dhe orkestër. Vepra ka motive spanjolle dhe lanson periudhën kur muzika me temë spanjolle doli në pah. Është një prej veprave më të luajtura të Lalos, e cila ka pesë kohë. Secila prej tyre përmban pjesë virtuoze përmes të cilave dalin në pah karakteristikat dhe personaliteti i atij që e interpreton. Gërshetimi i tingujve spanjoll, fillimi i ngadalshëm për të lënë hapësirë për shpalosje teknikash, dalëngadalë ndërtohet në aspektin ritmik për t’u përmbyllur me finale emocionuese e grandioze. Iskandar Widjaja arriti që t’i dalë hakesh kësaj vepre. Qe e qëlluar për të shpalosur tiparet për të cilët vlerësohet: stili i veçantë interpretues, imagjinata muzikore me nuanca dhe tipare zëri nga më të ndryshmet dhe teknika e jashtëzakonshme. Bluza që kishte të veshur paraqiste kokën e tigrit të formuar nga gurëz të vegjël që shkëlqenin. Ashtu sikur tigri që nuhatë prenë kur del në gjah, gjatë rrugës tregon forcën që zotëron dhe në fund triumfon, pikërisht kështu mund të përshkruhet performanca e Widjajas, e përcjellë fort mirë nga orkestra e cila me mjeshtri luajti këtë vepër. Por ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë interpretim ishte lidhja e tij me dirigjentin Noorman dhe Iskandar Widjaja, të cilët janë dajë e nip. Raporti i tyre i afërt edhe në skenë është i dukshëm. Por kjo sikur nuk i mjaftoi. Pasi që violinisti doli nga skena nën përcjelljen e duartrokitjeve të forta, ai u rikthye. Jo vetëm për përshëndetje por edhe me një dhuratë për publikun. Interpretoi një pjesë të shkurtër të veprës “Chaconne” të kompozitorit të tij të preferuar, Johann Sebastian Bach.

Me këto dy performanca të mrekullueshme nga solistët, dhe veprat sfiduese për orkestrën, Noorman Widjaja e dirigjoi orkestrën për “Vallet simfonike op. 45” të Sergei Rachmaninoff, që ishte një përzgjedhje mjeshtërore për përmbylljen e koncertit.

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës do ta interpretonte këtë vepër edhe para gati 10-vitesh, por ajo e së martës dukshëm ishte e një niveli tjetër. Falë punës që dirigjenti Widjaja ka bërë me qasjen krejt ndryshe, orkestra dëshmoi profesionalizmin që del një pah gjithnjë e më shumë përkundër kushteve me të cilat përballen, siç është mungesa e sallës e cila u vërejt edhe në këtë koncert. Jo pak veta nga publiku kanë mbetur në këmbë.

Eksperiencë të mrekullueshme e ka konsideruar violinisti Iskandar Widjaja pjesëmarrjen e tij në këtë koncert.

“Jam impresionuar nga fakti që ju keni ndërtuar një Orkestër Simfonike në këso rrethanash, në një shtet të dalë nga lufta. Për këtë heq kapelën. Është e veçantë, por jo të merret si e mirëqenë. Ju jeni zhvilluar në një kohë shumë të shpejtë”, ka thënë Widjaja (30).

Dirigjenti Noorman Widjaja, punën që e ka bërë orkestra e ka cilësuar mrekulli. Është ndarë i kënaqur me punën që është bërë, por edhe me talentin e Bajramit dhe faktin se i është dhënë mundësia që pas një kohe të gjatë, të ndajë skenën me nipin e tij.

“Kjo orkestër mund të them se është mrekulli. Kemi punuar nonstop për gjashtë ditë. Çdo ditë kam zbuluar kualitete të ndryshme të tyre. Është interesante të punoja me ta, jo vetëm se u bëmë miq, por si një familje e madhe, për shkak të harmonisë që ekziston aty. Me këtë ndjenjë jam bërë si vëlla i madh për ta. U kënaqa shumë, ata dhanë gjithçka, dhe kjo është dhurata më e mirë që kam mundur të marr”, ka thënë dirigjenti Widjaja, tek ka shtuar se Bajramin e pret një e ardhme e ndritur.

“Ajo i ka të gjitha që një pianist duhet të ketë. Fillimisht ka teknikë shumë të mirë, më pas brenda saj ka aq shumë muzikë. Është e re dhe mund të them se pas pak vitesh ajo do të jetë shumë e suksesshme. Jam krenar të shoh zhvillimin e saj dhe jam i sigurt se do të bashkëpunojmë prapë, do ta thërras. Ose do të vij SËRISH këtu nëse kam kohë dhe të bashkëpunoj me të”, ka thënë ai.

Paraqitja e Bajramit është bërë e mundur falë bashkëpunimit që festivali “DAM” tash e sa vite e ka me “Pianistin e ri”. Fituesit e kësaj gare automatikisht fitojnë të drejtën që të paraqiten në një koncert me Filarmoninë e Kosovës. E paraqitja e tillë për Bajramin ka qenë ëndërr e kamotshme e cila u bë realitet.

“Kam pasur shumë emocione, kam qenë shumë nervoze në fillim, por sapo dola në skenë ato emocione u zhdukën menjëherë. Kam qenë shumë me fat që kam pasur katër prova, e jo si zakonisht dy apo tre, dhe mendoj se kjo më ka ndihmuar më shumë që bashkëpunimi me dirigjentin të jetë më i afërt. Në përgjithësi ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe këtë nuk do ta kisha besuar kurrë”, ka thënë Bajrami, e cila ka marrë përsipër që të luajë një vepër e cila zakonisht nuk interpretohet nga pianistë të moshës së saj.

“Këtë vepër kam filluar ta ushtroj gati dy muaj më parë. Ka qenë hera e parë që kam marrë përsipër një vepër me nivel kaq të lartë të vështirësisë, mirëpo falë mësueses sime Pranvera Hoxha i kam kaluar ato pengesa që ta kem një eksperiencë tepër të mirë në skenë. Kjo vepër zakonisht luhet nga pianistë më të mëdhenj në moshë sesa unë, por duke punuar shumë, e kam bërë të mundur që ta luaj edhe në këtë moshë”, ka thënë Bajrami.

{gallery}