Kulturë

Baleti Kombëtar ngre në këmbë audiencën në Bullgari

Descriptive Text

Prishtinë, 5 korrik − Duartrokitjet e audiencës, që kishte mbushur amfiteatrin e “Arena St.Vlas”, janë frenetike. Ato zgjasin më shumë se pesë minuta. E krejt në fund, audienca thërret “faleminderit” edhe në gjuhën ruse. Në një video të shkurtër, të publikuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës, dëshmohet se shfaqja nga Kosova është mirëpritur në Bullgari. BKK-ja ka përzgjedhur produksionin e shfaqjes famoze klasike, “Giselle”. Me paraqitjen e së martës mbrëma, balerinët kosovarë e përmbyllën sezonin. Në Festivalin e Baletit Klasik në Shën Vlash, ata u prezantuan me shfaqjen e realizuar nën koreografi të bullgares Sylvia Tomova. Një ftesë për t’u prezantuar në një tjetër qytet bullgar, në muajin shtator, është rezultat shtesë i këtij prezantimi.

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, nëpërmjet telefonit, i ka thënë gazetës se prezantimi në Shën Vlash ka dalë i suksesshëm. Mbi 600 veta e kanë parë shfaqjen nga Kosova, në amfiteatrin e ndërtuar rishtas. Sipas Brahimajt, audienca është dominuar nga rusët.

Balerinët kosovarë qysh prej fillimit të vitit e kanë nisur prezantimin jashtë vendit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).