Kulturë

Imagjinata muzikore e Iskandar Widjaja në DAM Festival

Përmes stilit interpretues dhe imagjinatës së tij muzikore ai po performon njërën nga veprat më të bukura të shkruara për violinë.

Teknika e jashtëzakonshme e violinistit Iskandar Widjaja, u shfaq të martën mbrëma në Prishtinë, në koncertin e Filarmonisë së Kosovës, të mbajtur në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të DAM Festivalit, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.

Widjaja performoi në këtë mbrëmje magjepsëse “Simfoninë spanjolle” e kompozuar nga francezi Edvard Lalo, ndërsa ai ishte i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Filharmonisë së vendit, ku ishte e drejtuar nga dirigjenti Noorman Widjaja.

“Sonte performova një koncert për violinë të Edouard Lalo. Ai është kompozitor francez por ka shkruar pjesë në gjuhën spanjolle dhe me ka pëlqyer mjaft ngase me përshtate. Padyshim ishte kënaqësi të bashkëpunoja me Noorman Widjaja, ngase nuk na bie të takohemi shpesh. Këto pjesë i kam performuar dy herë në Varshavë, derisa këtë vit do ta performojë edhe në Manila të Filipineve dhe në Spanjë. Për shkak që kjo ishte hera e parë që ndodhem në Prishtine, nuk dija se çfarë të prisja, por mund të them se keni arritur mjaft si vend i dal nga lufta, derisa edhe disa anëtare të orkestrës janë të mbijetuar të luftës, prandaj e gjithë kjo punë meriton respekt” u shpreh violinisti Iskandar Widjaja për emisionin Express të KTV-së.

Image

Fituesja e shumë shpërblimeve pianistike si dhe triumfuesja e Festivalit “Pianisti i ri” për vitin 2016, Dea Bajrami, ka performuar në koncertin kryesor të këtij edicioni në DAM Festival, me veprën “Koncert për piano dhe orkestër” të Edvard Greig.

Ky koncert, sipas dirigjentit Noorman Widjaja, do të qëndrojë gjatë në memorien e tij.

“Mund të them se kjo orkestër është një mrekulli, prandaj kam kaluar një kohë shumë të mirë me ta. Dea, vajza e vogël, ka të ardhme të ndritur, dhe në një të ardhme të afërt ajo do të bëhet një pianiste e mrekullueshme. Ndihem i lumtur që në këtë mbrëmje u paraqitëm së bashku me Iskandarin” – tha dirigjenti Widjaja.

DAM Festivali vazhdon me natën e saj të gjashtë ku të mërkurën mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nga ora 20:00 do të performojë me koncertin e saj recital, pianistja vendase Artemida Haxhija Qarri.