Kulturë

Shfaqja shkodrane “Lufta dhe paqja pa pilaf”, fituese e Festivali Tradicional i Komedisë Shqiptare në Mitrovicë

Të shtunën në orët e mbrëmjes në Mitrovicë ka përfunduar edicioni i dhjetë, jubilar, i Festivalit Tradicional të Komedisë Shqiptare, që zgjati nga 18 deri më 23 qershor. Në festival morën pjesë trupat teatrore nga Shkodra, Prizreni, Klina, Prishtina dhe Skenderaj.

Në Festivalin e sivjetmë u shfaqën pesë komedi që kanë sjellë mjaft risi në skenë. Publiku gjatë këtyre ditëve i përcolli me interesim. Këto shfaqje sivjet e kanë sensibilizuar më tepër atë (publikun). Shumica e teatrove që janë prezantuar në Festivalin e Komedisë në Mitrovicë, kanë ofruar pjesë teatrale me përmbajtje nga aktualiteti ynë dhe sivjet kanë ofruar më shumë vlera në krahasim me vitet pararendëse.

Juria profesionale e Festivalit Tradicional të Komedisë Shqiptare në përbërje: Fazli Hajrizi, profesor, kryetar jurie, Kreshnike Osmani, regjisore dhe Ramadan Malaj (Badi), aktor, anëtarë të jurisë, të gjitha këto shfaqje i ka përcjellë me vëmendje dhe, ka dhënë këto vlerësime:

Shfaqja më e mirë (shpërblimi për vendin e parë) u shpall komedia “Lufta dhe paqja pa pilaf” e Teatrit “Migjeni” – Shkodër, autor Valentin Rrokaj dhe regjisor Bruno Shllaku.

Shpërblimin për vendin e dytë e fitoi Teatri i Qytetit të Prizrenit me komedinë “Iku autobusi”, me autor Osman Goranci e regji të Luan Kryeziut; dhe

Shpërblimin për vendin e dytë e fitoi Teatri i të Rinjve të Qytetit të Prishtinës me komedinë “Çifti i lumtur”, me autor Bik Pepa e regji të Xhemajl Lutës.

Juria profesionale e Festivalit, ndau edhe çmime tjera:

Shpërblimi “Roli më i mirë i mashkullit” i jepet aktorit Ramadan Çunaku (Teatri i të Rinjve të Qytetit të Prishtinës, komedia “Çifti i lumtur”);

Shpërblimi “Roli më i mirë i femrës” i jepet aktores Arbëresha Berisha (Teatri i Qytetit të Prizrenit, komedia “Iku autobusi”);

Shpërblimi “Aktori që premton” i jepet aktorit të ri Leonit Bahtiri (Teatri “Kaçurela” - Skënderaj, komedia “Keqkuptimet dhe realiteti”);

Shpërblimi “Aktorja që premton” i jepet aktores Fjolla Bekteshi (Teatri i të Rinjve të Qytetit të Prishtinës, komedia “Çifti i lumtur”)

Shpërblimi “Regjisori më i suksesshëm” i jepet regjisorit Bruno Shllaku (Teatri “Migjeni” - Shkodër, komedia “Lufta dhe paqja pa pilaf”:

Shpërblimi “Aktori veteran më i suksesshëm” i jepet aktorit Gëzim Kruja (Teatri “Migjeni” - Shkodër, komedia “Lufta dhe paqja pa pilaf”.

Drejtori i Festivalit Tradicional të Komedisë, Halit Barani, ndau mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në mbështetjen dhe mbajtjen gjallë të Festivalit në këto 10 vjet.