Kulturë

Cenimi i pandërprerë i kalldrëmit të Prizrenit

Dikur me kalldrëm kanë qenë të shtruara pothuajse të gjitha rrugët kryesore të Prizrenit. Tash e tillë ka mbetur vetëm qendra, si për të dëshmuar mjeshtërinë e të parëve. Por duket se zotësinë e tyre nuk e kanë trashëguar punëtorët e sotëm. Së paku jo ata që i ka angazhuar qeveria lokale.

Përderisa vite më parë pushteti lokal në emër të zhvillimit e modernizimit mbuloi me asfalt shumë rrugë kalldrëmi për të vazhduar kësisoj edhe pas luftës, qeveria e tanishme po ndërhyn pa autorizim në atë që i ka shpëtuar asfaltimit, shkruan sot Koha Ditore.

Autoritetet përgjegjëse për trashëgimi kulturore kanë reaguar lidhur me intervenimet e paautorizuara të Komunës së Prizrenit për rregullimin e kubëzave të kalldrëmit në Qendrën Historike të Qytetit. Madje Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka adresuar shqetësimin për shkak të përdorimit të mjeteve të papërshtatshme për nxjerrjen dhe shtrimin e kalldrëmit në Urën e Arastës, ku sipas tyre janë thyer e copëtuar me dhjetëra gurë të kalldrëmit. Sikurse KTK-ja, lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)