Kulturë

Pse Bashkim Shehu jeton në Spanjë, nuk ka pension të Mehmetit

Shkrimtar, përkthyes, por edhe bir i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkim Shehu po shkruan një vepër kushtuar Liri Belishovës, një libër mbështetur në dokumente dhe biseda me Belishovën, e ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Pasi ka përfunduar një cikël leksionesh në Universitetin Europian të Tiranës, pas zhurmës mediatike që ndodh gjithnjë, sa herë që ai ndodhet në Tiranë, Bashkim Shehu do t’i kthehet rutinës, shkrimtarisë dhe kësaj here me një vepër krejt të veçantë. Përmes një interviste, që e transmeton “Panorama”, Shehu rrëfen për këtë vepër, por u përgjigjet pyetjeve edhe për raportin me të shkuarën, por edhe thashethemet e pikëpyetjet mbi qëndrimin e tij në Spanjë.

-Këtë pranverë, Universiteti Europian i Tiranës organizoi ciklin e parë të leksioneve “Lektorium/ guest lecturer”. Ju z. Shehu ishit i ftuari i parë dhe për 5 javë rresht keni qenë i pranishëm në auditoret e UET-së duke bashkëbiseduar e diskutuar me studentët e programit Komunikim-Marrëdhënie Publike. A mund të na thoni se si ka qenë eksperienca juaj gjatë këtyre orëve leksioni?

B. Shehu: Kjo eksperiencë ishte një gjë e re për mua, të paktën në Shqipëri. Në fakt, këtë cikël leksionesh, pak më të zgjeruar, e kam dhënë edhe në Barcelonë vitin e kaluar, në një universitet të hapur që quhet “Shkolla Europiane e Humaniteteve”. Ua propozova drejtuesve të universitetit, duke menduar se do të kishte interes, si nga ana ime për të pasur kontakt me studentët shqiptarë, ashtu edhe këtu për të sjellë diçka të re. Edhe pse i gjithë materiali u përshtat edhe u kompaktësua në një numër më të vogël orësh, tema e përgjithshme që i lidh ato është raporti i ligjërimit letrar me ligjërimin filozofik, se si konvergojnë edhe ribashkohen, duke filluar nga shekulli i 19-të. Epiqendra e kësaj është Niçja, duke vijuar më pas me marrëdhëniet edhe ndikimet e dyanshme të letërsisë dhe psikanalizës. Ekzistencializmi, ishte një temë tjetër, si një filozofi e bërë për letërsinë dhe, së fundmi, në formën e mbylljes së rrethit, sepse ndodh e kundërta e përmbysjes që bëri Platoni me ndarjen e ligjërimit filozofik nga ligjërimi letrar.

-Cila është kënaqësia që keni marrë edhe sfida që keni hasur në auditor me studentët gjatë këtyre 5 javëve leksion?

B. Shehu: Kënaqësia ishte ajo e vëmendjes dhe, veç asaj, ishte edhe një farë provimi sepse në auditor kishte edhe të jashtëm, pedagogë apo intelektualë që vinin për të më dëgjuar me interes. Një herë, madje, ishte prezent edhe një njohës i mirë psikanalizës, siç është Ardian Vehbiu dhe që ishte një provë për mua. Sikurse ishte edhe profesor Arben Muho nga Universiteti i Tiranës, profesor shumë i mirë i filozofisë dhe në leksionin që mbajta mbi ekzistencializmin, pati ndërhyrje nga ana e tij edhe mundësi për të dialoguar, duke më krijuar bindjen që kisha folur mirë edhe nuk kisha bërë ndonjë gafë. Pra, pak a shumë, u kthye në formën e një agoraje publike, ku jo vetëm studentët, por edhe qytetarë të thjeshtë erdhën në universitet. Njerëz me interes edhe nga universitete të tjera, edhe nga bota intelektuale

-Si e shikoni këtë zhvillim për universitetet shqiptare? Atje ku ju jetoni është një praktikë normale, por për Shqipërinë, çfarë risie sjell në terma të mësimdhënies?

B. Shehu: Atë duhet ta dini më mirë ju që jeni në universitet dhe që jeni këtu, sepse unë shpresoj që kjo të vazhdojë dhe universiteti të vazhdojë të jetë i hapur duke e thyer përditshmërinë. Veç asaj, mendoj se risia qëndron te një lloj transversaliteti, e një gjëje ndërdisiplinore, letërsia dhe filozofia; po janë të afërta, por kanë dallimet e tyre. Sot, në botën akademike dija është e ndarë në parcela që shpeshherë janë të shkëputura nga njëra–tjetra dhe, në përgjithësi, jo vetëm këtu, mungon interdisplinariteti. Z.Shehu, ndoshta për shkak të simbolikës që ju përfaqësoni si individ, po sa herë që ju jeni në Shqipëri; vjet në çmimin “Kadare”, si kryetar i jurisë dhe sivjet si i ftuar në leksione, në qytet bëhet zhurmë. Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ishit i ftuar në Forumet UET, në një prej të martave. Do të doja të ndanit me ne këtë eksperiencën e ballafaqimit me një audiencë më të madhe që nuk ka vetëm studentë.

Aty kishte studentë, kishte edhe pedagogë, ose të paktën ata bënin më shumë pyetje dhe mua m’u duk sikur shkoi mirë, interesante….

-Ju duk?

B. Shehu: Po, sepse është përshtypja ime, secili ka përshtypjen e vet, pati edhe mendime të kundërta. Për shembull, u tha sikur unë paskam heshtur, ndërsa, mesa dëgjoja, gazetat të nesërmen ishin mbushur me atë që kisha thënë unë.

-Ndoshta ishin mbushur prej heshtjes?

B. Shehu: Si mund të mbushet me heshtje? Jo. Sikurse u thanë edhe gjëra të pavërteta, spekulime d.m.th. pse rri në Spanjë edhe nuk kthehem në Shqipëri. Gjëra të tilla, nuk e di, s’e kuptoj…

-Ju bënë të ndiheni keq? Ju ngacmuan duke ngritur te ju pyetje ekzistenciale?

B. Shehu: Në fakt, kjo është një gjë që ndodh herë pas here në mediat shqiptare, nuk është asgjë e jashtëzakonshme, që të trillohen gjëra, herë pas here ka trillime, ka edhe fiction…

-Sipas përshtypjes suaj, ju dhatë më shumë informacion apo dhatë më shumë të vërteta?

B. Shehu: Ç’do të thotë kjo? Informacioni është i rremë ose i vërtetë, si edhe opinionet janë të vërteta apo të pavërteta, po mendoj se më shumë pati refleksion, gjykim, opinion sesa dhënie informacioni, kjo është përshtypja që kam.

-Tanimë në Shqipëri është bërë jo trend, por një nevojshmëri për të folur dhe për të hapur diskutime në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Ky lloj diskutimi juve ju vë në një pozicion komod apo ju bën pak ankthioz, në parehati? A do të donit të përballeni apo të jeni një zë dëshmitar i asaj që ka ndodhur?

B. Shehu: Unë kam shkruar për të shkuarën, kam libra të tërë, të cilat flasin më tepër për atë periudhë, madje, më kanë kritikuar se pse përqendrohem në atë periudhë, duhet të flasësh më shumë për të tashmen. Gjykimi im ose përshtypja ime për këtë frymë mbizotëruese për të shkuarën, i ngjan një të sëmuri që është me ethe të forta dhe flet në jerm për idhuj të vdekur sepse diskursi për të kaluarën është një lloj kurioziteti ndaj ish-pushtetarëve të së shkuarës, kuriozitet, prapa të cilit ka, mendoj unë, njëlloj përuljeje.

-Ju thatë që keni shkruar shumë libra, ndërkohë, para pak kohësh keni deklaruar se jeni në nisje të një projekti tëri për një figurë deri diku emblematike të komunizmit, që ka ndërruar jetë pak kohë më parë, Liri Belishovën. Çfarë do të përmbajë ai libër dhe kush e mbështet këtë projekt?

B. Shehu: Ky është një projekt i botimeve UET Press, pjesë e kolanës për figura të ndryshme të historisë, ndaj mendova dhe propozova që të shkruaj këtë libër për Liri Belishovën.

-Ndoshta është fëmijërore, po pse Liri Belishova?

B. Shehu: Jo nuk është fëmijërore! Pse e zgjodha? Shiko, ajo ka një jetë interesante, fatkeqësisht, interesante. Interesante për shkak të fatkeqësive edhe të tragjedive; një vajzë e re, shumë e re, përqafoi idealet e komunizmit në një kohë kur të rinjtë, përgjithësisht në Europë kishin këtë lloj ideali. Pastaj vjen në pushtet dhe pëson një goditje të rëndë së bashku me burrin e saj, Nako Spirun, i cili vetëvritet e shpallet tradhtar e armik, e ajo, për rrjedhojë, shihet si e tillë gjithashtu. Mbas një kohe të shkurtër, Nako Spiru rehabilitohet edhe Liri Belishova rehabilitohet, duke u ngjitur sërish në majat e pushtetit, një nga njerëzit më të pushtetshëm që mund të numëroheshin me gishta. Nuk kalon shumë, 12 vjet dhe prapë pëson një goditje, por kjo është përfundimtare. Prapë shpallet armike dhe është absurde se si u godit ajo; goditja kaloi edhe mbi familjen, burrin e saj të dytë dhe një nga vëllezërit e saj, i kam pasur në burg dhe ata u dënuan rëndë, 20 i shoqi, 25 i vëllai, ndërsa ajo vetë kaloi 30 vite në internim më fëmijë të vegjël. Për më tepër, pati edhe drama të mëdha familjare, vdekjen e vajzës. Jeta e saj është një jetë ku u përthyen tragjeditë e kohës, u nis nga një idealizëm i madh dhe pastaj ai pushtet që doli nga ato ideale, u zvetënua e ra mbi të. Veç kësaj, është fakti i të qenit grua sepse është një botë burrash; pushtetin e mbajnë burrat, gratë janë të shtypura dhe janë të diskriminuara,jo vetëm këtu, por edhe në vendet më të zhvilluara. Imagjinoni një vend me tradita patriarkale si Shqipëria dhe një vend ku pushteti totalitar kërkon egërsi, ashpërsi të mëdha, natyrisht aty janë burrat që sundojnë dhe është një vend jo i mirë për gratë. Ajo ka qenë e vetmja grua që ka pasur një farë peshe në atë kohë që në moshë shumë të re, 22 vjeçe. Edhe diçka tjetër që më ngjall interes tek Liri Belishova është se ajo ka bërë katarsis, ka qenë shumë e kthjellët për të gjykuar sistemin, vetveten si pjesë e atij sistemi dhe e atij pushteti. Mund të them se ajo dhe Bedri Spahiu kanë bërë katarsis. Që kur e kam takuar në ’91-shin, pak muaj pasi dola nga burgu dhe Liria kishte një vit që ishte kthyer nga internimi, m’u duk shumë e kthjellët në gjykimin e atij sistemi. Në atë kohë kishte pak njerëz me atë kthjelltësi.

-Libri që mbështetet nga UET Press është rrëfim personal apo do bazohet në dokumente arkivorë?

B. Shehu: Libri bazohet në dokumente arkivore, por edhe në biseda që kam pasur me Liri Belishovën. Dëshmitarë nuk ka, ose pothuajse nuk ka, d.m.th mund të ketë ndonjë familjar, por njerëz të tjerë që kanë qenë me të në kohën që ajo ka qenë në pushtet, ata kanë vdekur ose janë njerëz që kanë një qëndrim tjetër, që nuk do t’u pëlqente ky libër dhe që nuk mund të bisedohet me ta. Kështu që, kryesisht, do të bazohet në biseda me të edhe në dokumente. Megjithatë, do të bëj një përpjekje mos gjej ndonjë njeri që e ka njohur në kohë të ndryshme.

-Ngaqë kanë mbetur kaq pak njerëz, mendoni se pati kaq pak reagim në momentin që ajo ndërroi jetë?

B. Shehu: Nuk e di, mund të jetë kjo që thoni ju, por edhe që për faktin se ajo pati një kundërvënie të qartë ndaj atij regjimi, ka njerëz që nuk e duan ose që e bojkotojnë…

-Edhe elitat e sotshme?

B. Shehu: Elitat e sotme nuk e di, ndoshta, po të bëja krahasim me persona të tjerë të asaj periudhe që nuk jetojnë më. Pra, nuk mund të jap gjykim.

-Sërish i kthehem asaj deklarate, e cila për mua si e rritur në periudhën pas, nuk kanë mbetur shumë dëshmitarë, të asaj periudhe dhe ndoshta në momentin që ne do të vetëdijesohemi për të përballur vetën me këtë diskutimin me të shkuarën nuk do të ketë më vërtetësi në trajtimin e saj, ndaj pyetja që kam për ju vjen si një përsiatje filozofike; çfarë ndodh kur jemi brenda shpellës, një shpellë brenda shpelle, ku mundësia për të marrë vesh të vërtetën nga ata që e kanë kaluar do të jetë inekzistente?

B. Shehu: Shiko, dëshmia ka gjithmonë njëlloj subjektiviteti, janë këndvështrime të ndryshme, por është shkruar për atë periudhë, ka dokumente, problem është sa të gatshëm janë njerëzit dhe sa interes ka sot që t’i lexojnë ato. Besoj se ka material, ata që kanë jetuar në atë kohë, kanë folur. Pastaj këto duhen ballafaquar dhe parë me kujdes. Unë sot shoh ose një mungesë interesi, ose një shndërrim të kësaj në sensacion që është e kundërta e historisë.

-Po e ngjyrosim më shumë se ç’duhet?

B. Shehu: Jo, por po e shndërrojmë në sensacion gazetaresk, duke botuar gjëra të vjetra si lajm i ditës dhe përsëriten sërish si lajm i ditës, sensacione të ditës. Historia ka një gjë, ka një kontinuitet, ndërsa gazeta është e kundërta, gazeta merr copa, është fragmentare, çdo ditë jep një lajm, njëlloj sikur t’i nxjerrësh gjërat jashtë kontekstit. Kur shohim aktualitetin që japin gazetat, aty ka kontekst, ndërsa nga e kaluara ne marrim copa, është krejtësisht e kundërta me metodën e historisë. Pse mendoni se ndodh ky “anapullim”? Mendoj për shkak të asaj çfarë ka ndodhur, ndodh edhe kjo. Janë ngatërruar gjërat keq edhe përcillen nga një brez në tjetër po aq keqazi.

Duke dashur t’i shpëtoj klisheve të mbylljes së intervistave, por më duket se do të bie sërish pre e saj, do të doja ndoshta prej jush një këshillë për studentët, mbas 5 javësh që ndatë me ta.

Këshillat do më dukeshin pak si paternaliste, mund të thosha sugjerim. Po mendoj se do ishte mirë që studentët, po sidomos studentët e humaniteteve ose të shkencave sociale të mos mbeten vetëm në programin e tyre, por, nëse gjejnë kohë, të shkojnë dhe të dëgjojnë leksione nga fakultete apo departamente të tjera, që mund të jenë plotësuese. Ashtu do ta kuptojnë më mirë edhe lëndën e tyre. Për këtë duhet të mungojnë, duke lënë ndonjë orë dhe duke hyrë në lëndë të tjera. Mendoj se do t’i bënte mirë. Tjetra është se janë të rinj, duhet të shijojnë jetën! Megjithëse ata ndoshta nuk kanë nevojë për këtë se duhet ta dinë më mirë se unë.

Klementin Mile: Bashkim Shehu, në Spanjë me pensionin e babait

Edhe pse në mënyrë të tërthortë, Bashkim Shehu hodhi poshtë akuzat, sipas të cilave, ai ka vendosur të jetojë në Spanjë për shkak të pensionit të të atit, ish-kryeministrit Mehmet Shehu, i cili ka marrë pjesë në Luftën e Spanjës. Gjatë intervistës në vijim, Shehu u shpreh se “u thanë edhe gjëra të pavërteta, spekulime d.m.th pse rri në Spanjë edhe nuk kthehem në Shqipëri. Gjëra të tilla, nuk e di, s’e kuptoj…”. Akuzat e drejtpërdrejta për këtë çështje kanë ardhur pikërisht nga një pedagog i Universitetit Europian të Tiranës, ku Shehu dha një cikël leksionesh. Duke iu referuar një prej “Forumeve në UET”, ku ishte i ftuar Bashkim Shehu, pedagogu Klementin Mile shkruan në gazetën “MAPO”: “Shkaktar i heshtjes së Bashkim Shehut mund të jetë vetë ai. Si shumë individë të tjerë të lidhur direkt me udhëheqjen e dikurshme komuniste të vendit, Bashkimi mund të jetë duke u treguar fleksibël. Atij mund t’i leverdisë më shumë të heshtë se sa të flasë. Për shembull, atij nuk i leverdis të thotë se arsyeja kryesore pse jeton në Spanjë është se kështu mund të tërheqë pensionin si hero lufte që shteti spanjoll i jep babait të vet, Mehmetit. Ndoshta te Bashkim Shehu mund të bashkekzistojnë shkrimtari i mirë, përkthyesi i shkëlqyer dhe biri i ish-kryeministrit komunist vetëm në heshtje”.

{gallery}